Aurela: Ndodh që ëndrrat bëhen realitet

February 17, 2011   | Lajmet / Vijesti

Askush nuk e kishte menduar se “Kënga ime”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, do të mbërrinte në studion e legjendave të muzikës amerikane. Por ja që fati e deshi kështu. Këngëtarja Aurela Gaçe dhe kompozitori i këngës, Shpëtim Saraçi, prej një jave gjenden në Los Angelos, për të regjistruar këngën në anglisht.

Pikërisht muzikantët që po punojnë për versionin përfundimtar të këngës, që do të interpretohet ‘live’ në Dusseldorf të Gjermanisë (më 8 Maj), janë emra të famshëm në botën muzikore. Ata kanë bashkëpunuar me Michael Jackson, Madonna, Eric Clapton, Anita Baker, Babyface, Eric Clapton, Elton John, Stevie Wonder, Sting, Toni Braxton e deri te Lady Gaga, Akon, etj. Kështu për këngën “Kënga ime” po punohet në studion “Village Studios” me Michael Frondelli (Recording & Mixing Engineer), Gene Grimaldi (Mastering Engineer), John “Jr” Robinson (Drums), Nathan East (Bass), Michael Tompson (Giutar). Kënga do të ketë edhe tre ‘back vocals’: Lamont Van Hook, Monet, Beverly. Pas kthimit dje në Shqipëri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këngëtarja Aurela Gaçe rrëfen përshtypjet e saj, ekskluzivisht për gazetën “Mapo”.

Aurela, cili është emocioni që ndjetë kur regjistruat këngën shqiptare në studion e emrave që kanë punuar me këngëtarë me famë në botë?

Nuk di nga t’ia filloj më parë… duke filluar nga emocioni që mora, që në momentin kur mora vesh se ku do të realizohej kënga, te rrugëtimi i gjatë deri në Los Angeles e deri tek momenti i parë kur hyra në studio dhe dëgjoj tinguj ‘live’ të këngës shqiptare, që vinin nga drummer (baterist) John JR Robinson, në bass ishte Nathan East dhe ne kitarë Michael Tompson… Isha e emocionuar dhe pak si e shokuar, për faktin se këta muzikantë kanë bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës në USA, dhe më dukej si çudi çfarë po ndodhte në moment. Në pult ishte Michael Frondelli, inxhinier i zërit që ka bërë albume nga Led Zeppelin, e deri te më të rinjtë. E kam ëndërruar diçka të përafërt, e kam ëndërruar të hyj në ato studio, qoftë edhe për një këngë dhe ja, ëndrrat edhe bëhen realitet! (qesh).

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Ajo që të bënte përshtypje është se sa më të mëdhenj ishin këta njerëz, aq të thjeshtë, komunikues dhe njerëzorë ishin përballë nesh, që nuk na njihnin, por muzika na lidhi… Më ngazëllente fakti që të gjithë ata mundoheshin të jepnin atë që duhej, pa përtuar… Ata thanë se u pëlqente kënga dhe u dukej diçka ndryshe, nga çfarë ata janë mësuar.

Mund të na shuani kuriozitetin, se si mbërritët në studion e tyre?

Se si arritëm ne aty në ato studio, ishte e papritur dhe e çuditshme, për faktin se këto ditë mësova që përveç njerëzve që gënjejnë e mashtrojnë, ka dhe ekzistojnë edhe njerëz që thonë diçka dhe e mbajnë fjalën, dhe bëjnë të pamundurën të të ndihmojnë. Aldo Shllaku, një kompozitor filmash në Holliwood, për të cilin Shqipëria nuk ka dijeni, e bëri të mundur që me lidhjet e tij, ne të realizonim këtë këngë. Jam e mahnitur nga çdo gjë që Aldo bëri për ne. Unë fillova t’i them “ëngjëlli jonë mbrojtës”. Bashkë me Shpëtimin, kanë pasur net pa gjumë, deri sa kënga të shkonte në nivelin që ne kërkonim. Jam e lumtur me çfarë ndodhi dhe falënderoj gjithashtu RTVSH, që u treguan të gatshëm të na ndihmonin ta realizonim këngën në USA.

MAPO
YouTube Preview Image