Politika, zhvillimi ekonomik dhe shpirtëror

February 17, 2011   | Shtypi / Mediji

Rruga e humbur

Bota e zhvilluar perëndimore e bazon gjithçka në punë. Si zhvillimin material, ashtu edhe atë shpirtëror. Ashtu ka qenë gjithëherë dhe kudo gjatë zhvillimit të gjatë historik, dhe këtë nuk e ndryshon asgjë.
Nëse hedhim një vështrim tek ne në Ballkanin Perëndimor, tashti jo aq të trazuar, mund të arrijmë në përfundimin që kjo nuk qëndron. Sidomos tek ne, në trevat shqiptare, e veçanërisht tek shqiptarët në Mal të Zi. Sikur ky rregull aq i qartë dhe njëkohësisht edhe domethënës dhe vendimtar nuk vlen te ne, qoftë sa i përket çështjeve ekonomike ashtu edhe atyre shpirtërore. Në aksionet dhe vendimet tona ekonomike vërehet sipërfaqësia, të pa qëlluara marrja e vendimeve joadekuate dhe të vendosura, si dhe një mendësi e jona që edhe me pak punë, mund të arrihet shumë. Normalisht, kjo nuk është e saktë, as si qëndrim e as si veprim. Andaj ndodhemi në këtë pozitë që jemi, që viset shqiptare janë më pak të zhvilluara dhe me shumë pak ose fare pak investime, si dhe ekziston një situatë e vështirë ekonomike e popullsisë.
Ta lëmë anash nëse kjo është për shkak të “mosvënies” dorë të shtetit apo mungesës së entuziazmi, ideve dhe iniciativës tonë, e cila duhet të jetë shtysë dhe bartëse e gjithçkaje pozitive në një mjedis. Pasi që tek ne nga politika ende varet edhe ekonomia e një rajoni apo shteti, është e qartë që veprimi apo mosveprimi politik ka pasoja serioze edhe në jetën ekonomike dhe shpirtërore, si dhe te të gjitha lëmitë në viset shqiptare në Mal të Zi. Është sinjifikative nganjëherë mosinventiviteti dhe mosndërmarrja e veprimeve të qëlluara politike e politikanëve tanë, të cilat pastaj kanë pasoja serioze materiale e pastaj edhe shpirtërore në vetë popullsinë.
Edhe politikani është njeri. Andaj, edhe ai është i prirur nga joshjet aq “normale” tek viset tona, por tek ai pasojat janë më të rënda dhe me reperkusione më serioze për popullsinë dhe për të ardhmen e brezave të ardhshëm. Mungesa e përgjegjësisë dhe të të vetëkuptuarit të termit politikan apo “përfaqësues i popullit” nga vetë njerëzit që janë në këtë profesion, shkakton një mosbesim, mosiniciativë dhe demoralizim tek shtresat e popullit. Përgjegjshmëria ndaj popullit apo ndaj “elektoratit” është kyçe dhe thelbësore në këtë mes dhe sintagma e shpeshpërdorur në popull se “fjalët i merr era”, nuk duhet të qëndrojë, bile as të mendohet, pasi që kemi të bëjmë me një pjesë të kombit, i cili ende lufton për identitetin e vet dhe për të vetëkuptuarit dhe të vetekzistuarit si pjesë e një kombi i cili nuk është i vogël në rajon. Andaj, edhe vendimet e “prijësve të popullit” janë më me peshë, më serioze dhe me pasoja afatgjate. Mosiniciativa për zhvillim më të qenësishëm ekonomik dhe me atë edhe shpirtëror, sjell papunësi më të madhe, varfëri dhe mosperspektivë zhvillimore e me të edhe atë shpirtërore. Pasi që kur humbet identiteti dhe pavarësia ekonomike, një hap i afërt është që të humbet edhe identiteti dhe pavarësia shpirtërore.
E me të humbet edhe qenësia e përkatësisë dhe identiteti me të gjitha elementet dhe variantet e veta. Andaj përgjegjësia më e madhe është tek politikanët. Ata duhet të jenë pararoja e mbrojtjes dhe shtysë inventive e zhvillimit, së pari ekonomik e pastaj edhe shpirtëror të popullit. Nëse politikanët edhe më tej vazhdojnë si deri më tash, duke mos pasur iniciativë zhvillimore, do të arrijmë në situatë edhe më të vështirë, si në kulturë, arsim dhe në shumë lëmi të tjera. Kjo shtresë e popullsisë, e cila duhet të jetë bartëse e iniciativave, duhet të ndërgjegjësohet dhe ta drejtojë energjinë dhe veprimin e vet drejt kahjeve pozitive, drejt kahjeve të zhvillimit ekonomik dhe shpirtëror të popullit të vet. Nëse e bënë këtë, populli do ta ndjejë atë dhe do t’i japë përkrahjen e duhur dhe do të rifitojë besimin në ta dhe në perspektivën e vet të të ekzistuarit si entitet, si pjesë e kombit më të vjetër në Ballkan dhe ndër më të vjetrit në Europë, me tradita të shkëlqyera ekonomike, kulturore dhe shpirtërore. Andaj politikanët duhet të zgjohen nga gjumi dhe të zënë vendin e vet të merituar si përfaqësues të denjë të popullit të vet. Këtë populli me verdiktin e vet ua ka dhënë, por pret nga ata që të jenë të denjë në përfaqësimin e tyre dhe të plotësimit të kërkesave dhe dëshirave të tij pa ekuivoke.

Enver Mollabeqiri – Eno
Koha Javore

1