Urimi juaj për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

March 7, 2011   | Kulturë / Kultura, Opinione

Dita e Mësuesit është simbolika e përpjekjeve të vazhdueshme plot sakrifica për ta pasur atë që na takon dhe për ta ruajtur përjetësisht shkollën shqipe në Ulqin dhe rethinë, e cila pati një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë.
“Kjo datë shënon një ditë të veçantë dhe të rëndësishme për popullin tonë e që na bën të kujtojmë shumë viktima dhe të na shërbejë për të na nxitur e motivuar për punë gjithnjë më të mirë e për përgjegjësi më të mëdha ndaj atyre me të cilët punojmë – nxënësve, në mënyrë që mos t`i mësojmë mbrapsht e të vuajnë nga gabimet tona”

Si posedoni ndonji fotografi të mësuesit të juaj të asaj kohe ose fotografi nga dita e sotme na dergoni Lajme nga Ulqini Facebook dhe ne do i publikom.
Faliminderit

Dërgoni edhe ju urimin tuaj për mësusin…….?!

Bajram Rexha – personalitet i dalluar i kombit

Bajrami u lind në fshatin Kllezën të Sipërme të Anës së Malit. Jetoi fëmijërinë në një familje të nderuar që kishte bërë emër të mirë dhe gëzonte respekt nga të gjithë.

Bajrami me shokë mori rrugën e shkollimit, me dëshirën në zemër për të plotësuar nevojën e madhe të asaj kohe për kuadër të shkolluar. Shkollën fillore e kreu në Katërkollë (Vlladimir) ndërsa në Prishtinë kreu shkollën e mesme (normalen) dhe Fakultetin filozofik-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Bajrami me shokë, duke pasur vullnet të fortë për punë, disiplinë dhe vizion për jetën, u bënë shembull i kapërcimit të vështirësive ekonomike në shkollim. Rrugën e tyre e ndoqën edhe të tjerët , duke e arsyetuar sakrificën e prindërve dhe ndihmën e shoqërisë. Tërë jetën, punën dhe aktivitetin e tij, Bajrami e orientoi në tri fusha të pandara: në fushën e arsimit, kulturës dhe atdhetarizmit.

Personalitet i arsimit-Punën edukativo-arsimore e filloi në vitin shkollor 1955\56 në shkollën fillore në Katërkollë si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Posedonte aftësi të jashtëzakonshme për zbatimin e anës ideore të procesit mësimor. Punonte shumë me nxënës. Kërkonte nga shoqëria, por edhe vetë dëshironte t i ndihmonte asaj. Për punën edukativo-arsimore, Bajrami shpesh thoshte: „ Profesionin e mësimdhënësit e dua sa jetën. Nëse profesioni dashurohet me gjithë zemër, s ka se si të mos zotërohet mirë e me themel. Ky profesion është disi i veçantë, i shenjtë. Ai që përcaktohet për të, duhet të jetë përherë i përgatitur për të ndihmuar nxënësin që të përparojë. S ka punë më të bukur dhe më të ndershme se puna e përgatitjes së njeriut për jetë. Mësimdhënësi të riut ia zgjeron horizontin e diturisë dhe e aftëson atë të bëjë mrekulli’’. Brezin e ri e ka dshur me zemër. E ka çmuar dhe e ka udhëzuar për jetë. Duke u nisur nga parimet e shëndosha pedagogjike, për të u bë moto e punës  dashuria e kujdesi i thellë për nxënës dhe kërkesa e madhe për rregull, disiplinë e punë sistematike me ta. Ai kërkonte që nxënësit të ishin shembull në mësime dhe edukatë. Këtë kërkesë e shprehu gjatë tërë karrierës në arsim, i prirur nga kujdesi dhe dashuria atërore për brezin e ri.

Për punën që bëri në drejtimin e femrës së parë nga Ana e Malit, Rukie Lika në Normalen e Prishtinës, Bajrami u shprehte: „ Do të kemi nesër mësuese të mirë, të aftë, të ndërgjegjshme dhe me plot ideal  kombëtar. Do të kemi femrën shqiptare të qytetëruar, përparimtare, punëtore e fisnike.’’ Kjo vajzë e arsyetoi punën e bërë nga kolektivi i mësimdhënësve. Ajo jo vetëm që ishte e shkëlqyeshme në mësime dhe në sjellje, por njohuritë e përvetësuara i zbatoi me përpikëri më vonë si mësuese.

Personalitet i kulturës- Gjatë periudhës dhjetëvjeçare të mësimdhënies në Gjimnazin ‘’Vëllzërim – bashkim’’ në Ulqin, është e madhe puna e Bajramit në aktivitetet e lira me nxënës dhe të rinj. Me të mbahej gjallë jeta kulturore e shkollës dhe e qytetit.Puna e tij motivohej nga dashuria për lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, përmes së cilës ngulitej te nxënësit dashuria për kombin. Aktivitete në kulturë në këtë kohë në Ulqin kishte shumë pak. Këtë zbrazëti duhej ta plotësonte gjimnazi në qytet, i cili atëherë ishte i vetmi institucion shkollor i mesëm në Mal të Zi me mësim në gjuhën shqipe. Punoi me nxënës të talentuar në grupin letrar ‘’Shpresa’’. Në revistën ‘’Fillimet’’ botoi punimet më të mira të nxënësve. Me grupin recitues, përgatiste herëpashere shfaqje me recitime.. Me grupin e dramës shfaqi recitalin bashkë me këngë korale ‘’Me këngë deri në fitore’’, për të vazhduar me pjesët skenike ‘’Burri burrë, ‘’Sikur të isha djalë’’, Halili e Hajria’’, ‘’Toka jonë’’, ‘’Familja e peshkatarit’’, ‘’Shpartallimi’’, ‘’ Përmbajtja e madhe’’ dhe me komedinë njëaktëshe ‘’Letra e humbur’’. Me tri nga këto mori pjesë ne Festivalin në Bijello Pole. Zgjedhja e repertorit ishte bërë me qëllim dhe kritere të caktuara. Qyteti i Ulqinit u begatue me këtë lloj arti. Kur shfaqeshin këto drama salla mbushej me shikues. Këtij suksesi nuk i gëzohej çdokush. Kishte edhe të atillë që hartonin plane dhe kurtha për të penguar këtë aktivitet. Për sukseset e arritura, Bajrami thoshte: ‘’S ka kënaqësi më të madhe se kur njeriu mbledh frutet nga pema e mbjellë me dorën e tij’’. Me punën e tyre, nxënësit e përtërinin atë, ia shtonin fuqinë, guximin dhe dëshirën për jetë.

Personalitet i atdhetarizmit- Vullneti i jashtëzakonshëm për punë dhe rezultatet e arritura me nxënës në shkollë, e bënë atë personalitet të dalluar edhe të atdhetarizmit. Ai e donte shumë atdheun dhe shkollën shqipe. Ky ideal e bëri të ndiqet dhe të persekutohet. Gëzohej që shkolla shqipe po hapte sytë e popullit dhe po e ushqente atë me ndjenjën kombëtare. Pa shkollë s ka dituri, pa dituri s ka komb. Ai theksonte se ‘’shpirti i shqiptarit nuk u ligështua nëpër kohë të këqija, por u mbajt gjallë dhe me sakrifica qëndroi. Ne të gjithë jemi  bijt e këtij populli të lashtë e fisnik. Sa më të ngritur që të jemi, aq më të fortë e më të pasur do ta kemi kombin dhe ne vetë do të jemi të lumtur’’. Apelonte që shqiptarët të shkojnë mirë njëri me tjëtrin. Të mos e shfaqin para të huajve edhe ndonjë inat të vogël që mund ta kenë. Të tregohen se janë të lidhur dhe të bashkuar. S ka më nder e fisnikëri  se sa ta begatosh kombin, t ia ushqesh shpirtin e t ia kthjellosh mendjen, t i japësh dorë e krah, theksonte Bajrami.

Vepra që krijoi ai në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, në fushën e atdhetarizmit është aq e pastër, aq e ndershme, siç është vetë jeta e tij me plot respekt e dinjitet.

Jeta dhe veprimtaria e Bajram Rexhës është shembull i përkushtimit të intelektualit për qëllimin e lartë të zhvillimit e të përparimit të kombit. Me veprimtarinë që ushtroi, me karakterin e fortë, moralin, shpirtin e qëndresës dhe atdhetarizmit, u bë personalitet i respektuar. Mbeti simbol i optimizmit për jetën.

Mr. Riza Rexha
Buzukupress

YouTube Preview Image
1.

Shaqir Duraku, Naim Duraku , Haxhi Taipi

2.
3.
Emocionet që sjellin raste të tilla janë të papërshkrueshme.Të ndash me mësuesit tanë veteran përvojat e tyre si mësues është një kënaqësi e pamasë.T’i shohësh ato se me sa shumë dashuri shikojnë brezat e rinj është me të vërtetë për t’u përmalluar.
Ato sot dhanë një porosi për gjeneratat e reja, dhe porosia ishte;
Ju jeni ardhmëria dhe… nga ju mvaret e ardhmja, pikërisht nga ju.
Falenderim i veçantë për mësuesin Xhemal Hoxha dhe mësuesen e parë Rrukije Lika Shaba për mesazhet e bukura që përcollen sot dhe falenderime shumë e shumë që ju përgjigjen fteses sime.
Faleminderit!!!!!!!!!

Flower Avdiu Facebook
4.
Mësuesja Shestaneshë në pension Paulinë Pepgjonaj

Ka mbushur 82 vjetët e jetës së saj mësuesja e dashur Paulinë Pepgjonaj, ndër të parat shqiptare në Malin e Zi e cila për 40 vjet radhazi ua çeli nxënësve shqiptarë rrugën e dritës dhe të diturisë. E vetmuar pa asnjë njeri në shtëpi, larg zhurmës së qytetit, në fshatin e lindjes në Braticë të Ulqinit ajo vazhdon të jetojë jetën e saj fisnike. Ajo ka kontribuar aq shumë në shkollimin dhe edukimin e shqiptarëve në Ulqin, Anë të Malit, Krajë e Malësi saqë meriton përkujdesje dhe respekt shumë më të madh nga shoqëria. Sepse kjo mësuese është emër i njohur në fushën e arsimit shqip në trevat etnike shqiptare në Malin e Zi. Edhe pse në kohën e mësimdhënies së saj dhe punës të palodhshme me nxënës gëzonte autoritet, ajo sot është e harruar, siç janë harruar shpesh edhe shumë njerëz të kulturës e arsimit në këto treva. Në bisedë me të, më 15 qershor 2009, mësojmë se misionin e mësueses e kreu me dashurinë dhe përkushtimin më të madh të mundshëm. Ajo edhe kur udhëtonte këmbë katër orë në ditë, në acarin e dimrit të atyre maleve të egra për të arritur në shkollën e Krajës, rrezatonte të njëjtën krenari e dinjitet. Në të parë, as pas tragjedisë së madhe familjare, kur i vdiq Vinkoja, djali i saj i vetëm, në moshë të re, nuk u ligështua kurrë, duke e mposhtur me dinjitet hidhërimin e saj, që ia ka lënduar rëndë zemrën dhe shpirtin e saj. Prandaj të gjithë nxënësit dhe kolegët e saj sot nuk kanë sesi të mos thonë: “Nderim dhe respekt për detyrën e shenjtë të mësueses. Nderim vuajtjeve të tua, o mësuesja jonë e dashur. Ti hape horizonte të reja në arsimin kombëtar”. Të gjithë ata që e njohin mësuesen Paulinë thonë se kishte një përgatitje profesionale, se ishte e pajisur me një kulturë të shëndoshë, se ishte e palodhshme në punë, e dashur me nxënës, kolegë e prindër, entuziaste dhe pedagoge e mirë. Dhe pikërisht ky mision i rëndësishëm, u është ngarkuar mësuesve, pra edhe Paulinës. “Po, po unë dhe kolegët e mi bëmë ç’ishte e mundur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të edukuar rininë tonë shqiptare, sepse ishim të bindur se ajo është shpresa e të ardhmes tonë” thotë Paulina.
Kjo shestaneshë lindi më 1927 në fsahatin Braticë. Prinëdrit e saj nëna Dilë dhe babai Pjetër qëndruan një kohë në Tiranë, ku , siç thotë ajo, kreu shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën italiane, ndërsa Shkollën Normale në Shkup në gjuhën shqipe në vitin 1948. Sapo u diplomua për mësuese, thotë Paulina, kthehet në vendlindje dhe fillon punën me nxënës në shkollën e sotme fillore “Boshko Strugar” në Ulqin. “Në këtë shkollë kam punuar 10 vjet. Prej mësueseve femra para meje këtu ka punuar kroatja Antonie Markoviq, e cila i mësonte shqiptarët në gjuhën e tyre amtare.

Ulqinit kam punuar në Ostros të Krajës 5 vjet, prej nga kaloj në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, ku kam punuar deri në pension. Fillimet e mia si mësuese kanë qenë të kënaqshme. Nxënësit e mi kanë qenë të rritshëm dhe të mrekullueshëm. Disa nga ata kanë qenë dy vjet më të moshuar sesa unë. Vitin e parë të punës sime ndër nxënës në Ulqin nuk kishte asnjë femër, kurse viteve tjera filluan të ndjekin shkollimin edhe femrat, por në numër të vogël. Nxënësit e klasave të ulëta mësonin lëndën e matematikës, gjuhën shqipe, historinë, gjeografinë e të tjera, por jo si sot. Këto lëndë mësoheshin sipërfaqësisht, krejt pak. Tekstet shkollore ishin të vjetra dhe ato i kishin fëmijët. Mungonin mjetet didaktike dhe mësimore. Nuk kishim planprogram. Orën e organizonim vetë. Rëndësi më të madhe i kushtonim bukurshkrimit, dhe punës me dorë, si për shembull rrobaqepësisë. Puna jonë kontrollohej nga inspektorët e arsimit”, tregon Paulina. Ajo në vazhdim të bisedës shpalos përshtypjet, mbresat dhe kujtimet e saj gjatë punës në Ostros dhe në Tuz. Ajo që duhet veçuar nga kujtimet e saj gjithsesi është pasioni dhe dashuria që kishte për nxënës dhe prindër. “Për me qenë mësues i mirë duhet me i dashtë jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit. Në rast se nuk vendos raporte të mira me prindër nuk mundesh të kesh sukses me nxënës. Nxënësi mëson më mirë dhe është më i sjellshëm kur e di se ke raporte të mira ne prindërit e tij. E prishe punën me prindër e ke prish edhe me nxënës”, pohon Paulina, duke shtuar se kurrë nuk ka ndier lodhje me nxënës, por me padurim priste të kalojë vikendi për tu takuar sërish me ta. Gjatë punës në Malësi, respektivisht në Tuz shprehet: “Malësorët janë njerëz aq të mirë sa që nuk mund ta besosh. Fjala e tyre ka qenë e besueshme. Ajo për ta ka qenë ligj, e shenjtë dhe kurrë s’ka mund të ndryshojë. Karakteristikë tjetër e malësorëve ka qenë edhe burrnia”.

Ndërkohë edhe nxënësit e kujtojnë me dashamirësi mësuesen e tyre të dashur. “Përpara nesh fuqishëm na tërhiqte fytyra e mësueses Paulinë Pepgjonaj përherë e buzëqeshur, fjala e saj gjithmonë e ngrohtë. Ajo na mësoi me aq shumë fuqi e dashuri sa që nuk pati më forcë sado e errët që ta ndalë rrugëtimin tonë atyre shtigjeve të dritës, sepse fytyra saj e njomë, e bukur, fjala e saj e fuqishme e plot dashuri ndaj vlerave morale të njeriut na tërhiqte me shkëlqimin e vet rrezatues, siç i tërhiqte dikur ai fanari i Aleksandrisë së lashtë anijet e shtegtarëve që përplaseshin mbi valët e detit të trazuar”, shprehen ish nxënësit e saj.
E them me bindje se Shestani duhet të mburret me këtë bijë të vetën, sepse ajo gjithmonë, madje edhe sot e vetmuar pa askënd në shtëpi, përjashto vizitën e herëpashershme të vajzës Vera nga Gjermania dhe mbesës Daniella nga Tuzi, nuk u përkul kurrë, por qëndroi gjithnjë e palëkundur në misionin e saj të shenjtë dhe shkëlqeu përherë si një meteor

Gjekë Gjonaj
Buzukupress

5.
Anamalasit janë njerëz mësimdashës

Nga kjo trevë në rrjedhë të moteve kanë dalë edhe klerikë të dalluar me emër të mirë si: dom Simon Filipaj, përkthyes i Biblës integrale në shqipen standarde, shkëlqesia e tij imzot Rrok Mirëdita, kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore të Kishës Katolike të Shqipërisë, ipeshkëv i Tiranës dhe i Durrësit, Idriz Demiraj, ishkryetar i Bashkësisë islame të Malit të Zi dhe, Rasim Llolla. sheh bektashian. Kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Rexhep efendi Lika, thotë se në 16 xhamitë e Anës së Malit, që nga shekulli XVII kanë shërbyer një numër i madh imamësh nga kjo trevë. Sipas tij në fillim të shekullit XX në Anë të Malit kanë shërbyer këta imamë:
1.Shaban efendi Shaptafi nga Kravari.
2.Osman efendi Spahia nga Pelinku,
3.Smajl efindi Muça nga Shasi,
4.Fazli efendi Çobi nga Krytha,
5.Jakup efendi Luca nga Sukubina,
6.Mustafë efendi Holli nga Katërkolla,
7.Hafiz Sait efendi Bojku nga Bojku,
8.Sulejman efendi Hoxha nga Rashtisha,
9.Hasan efendi Islami nga Milla. Historiku i arsimit
Anamalasit janë njerëz mësimdashës. Interesimin për t’u arsimuar e kanë shprehur kaherë. Dëshmi për këtë është hapja e shkollave të para në këtë trevë, para 81 vjetësh, saktësisht në vitin 1929, në fshatin Selitë, për të vijuar më pas në Kosiq, Sukubinë, Katërkollë dhe Krythë. Mësimi në këto shkolla zhvillohej në gjuhën joamtare deri në vitin 1945, kur edhe hapen për herë të parë shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Drejtori aktual i SHF “ Bedri Elezaga” në Katërkollë, dr. Nail Draga, na jep këtë kronologji të arsimit në Anë të Malit: Shkolla e parë në Anë të Malit ka filluar punën në vitin 1929, në ndërtesën e mejtepit në Selitë, komuna e Katërkollës. Në të njëjtin vit janë çelur shkollat edhe në Kosiq dhe Sukubinë.

Nuk ka të dhëna për numrin e nxënësve, ndërsa mësuesit e parë kanë qenë: në Selitë Jozica Mariniq, në Kosiq Milenko Guberiniq dhe në Sukubinë Vllado Miniq, të cilët mësimin e kanë mbajtur në gjuhën joamtare- serbe. Nga viti 1932, prej objekteve private kalohet në ato shtetërore, sepse janë ndërtuar objektet e reja shkollore në Katërkollë, Krythë dhe Sukubinë në të cilat është zhvilluar mësimi nga klasa I – IV. Me këto programe mësimore dhe në gjuhën joamtare të nxënësve shkollat kanë punuar deri në vitin 1941, kur ka kapitulluar Mbretëria Jugosllave.
Ndonëse nën okupimin italian, gjatë Luftës së Dytë Botërore nga viti 1941- 1944 në Anë të Malit, Ulqin dhe në viset e tjera shqiptare në Mal të Zi u hapën për të parën herë shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Mësuesit e parë kanë qenë nga Shqipëria. Në Katërkollë mësues ishin: Viktor Kiçi, Prenkë Jakova dhe Prelë Shiroka; në Sukubinë Shuk Shllaku dhe Zef Berisha, ndërsa në Krythë Ramadan Milla. Programi mësimor ishte i njëjtë për të gjithë shqiptarët, hartuar nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore në shkurt të vitit 1945 shkolla në Katërkollë ka vazhduar punën ku mësues dhe drejtor i parë ka qenë Minja Nikollaidis nga Ulqini.
Në klasët e I – IV kanë qenë të regjistruar 45 nxënës. Mësimi është zhvilluar në gjuhën amtare–shqipe. Atë vit u formua Këshilli i parë i shkollës, kryetar i të cilit ka qenë Musa Llolla. Në vitin shkollor 1945/46 u hapën shkollat e përkohshme në të cilat mësuesit punuan pa pagesë.


Në Krythë Ramazan Jahja, në Sukubinë Jullka Nikoliqi, në Kllezën Nalt Daut Hoxhiqi dhe Nikolla Nrekiqi, në Kllezën Poshtë Prena Jankoviqi, në Amull Mark Shkreli. Në vitin shkollor 1946/47, pas kryerjes së kursit pedagogjik, për punë në shkollë caktohen mësuesit e përkohshëm nga vendi – rajoni i shkollës: në Katërkollë, 4 klasë, 195 nxënës, mësuesit: Ramazan H.Sella, Shaqir Duraku, Selim Llunja, Daut Hoxha pastaj Llucija Qetkoviq, Mehmed Cuca dhe Vata Elezaj. Në Krythë, 2 klasë, 146 nxënës, mësuesit: Salë Kurmemi, Nikolla
Nrekiqi dhe Elez Alaj. Në Sukubinë, 4 klasë, 165 nxënës, mësuesit: Daut Mehmedi dhe Faik Avdiqi. Në Amull, 86 nxënës, mësues: Manush Kasneci dhe Prena Nikiqi. Në vitin shkollor 1947/48 shkolla në Katërkollë, rritet në Shkollë fillore shtatë klasëshe. Për drejtor nga 12 shtatori i vitit 1947 emërohet Junuz Divanoviqi, mësues nga Tivari. Në këtë vit është hapur shkolla në Kravar: 1 klasë, 76 nxënës, mësuesi Metë Cuca, ndërsa në vitin 1948/49 është çelur shkolla në Kllezën Poshtë. Në vitin shkollor 1949/50 shkolla cakton sekretarin e shkollës e, që nga viti 1951, kryen shkollën fillore e shtatëvjeçare brezi i parë i nxënësve: Elez Mustafaj, Haxhi dhe Fadil Taipi, Sabri dhe Xhevdet Hollaj, Shaban Hoxha dhe Vata Elezaj. Në vitin shkollor 1951/52 shkolla rritet në Shkollë fillore tetëvjeçare. Në vitin shkollor 1953/54 është çelur shkolla fillore në Millë, me 4 klasë,73 nxënës. Në vitin shkollor 1956/57 në shkollë mësohet gjuhë e huaj frengjishtja, e cila mësohet deri në vitin 1961. Ndërsa në vitin shkollor 1961/62 në shkollë vihet gjuhë e huaj rusishtja, e cila mësohet deri në vitin 1992.

Gjekë Gjonaj
Koha Javore

2