Shkëmbimi i ambasadorëve Podgoricë – Prishtinë ska arsye të zvarritet

March 8, 2011   | Rajoni / Region

Podgoricë, 7 mars – Edhe pse autoritetet e Podgoricës dhe të Prishtinës, duket se nuk kanë ndonjë nguti për të shkëmbyer ambasadorët, subjektet politike shqiptare në Malin e Zi, e shohin se këtë akt duhet kryer sa më parë, sepse, pikërisht shqiptarët kanë shumë probleme të pazgjidhura, të nënshtetësisë, stazhit të punës në kohën e shtetit të përbashkët, çështja e pronave e shumë tjera, raporton KosovaLive.
Podgorica zyrtare tash dy vjet e më shumë deklaron se “shkëmbimi i ambasadorëve me Prishtinën kërkon një kohë…?”
Podgorica zyrtare, në të vërtetë kryetari malazias, Filip Vujanoviq ministri i Jashtëm, Milan Rocen edhe ditë më parë po ashtu ka përsëritur se “deri atëherë do të zgjidhet statusi ligjor dhe pozita e komunitetit malazias, në Kosovë, gjë për të cilën posaçërisht është duke insistuar kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me mardhëniet diplomatike me Malin e Zi më herët ka thënë se “procesi i shkëmbimit të ambasadorëve do të nisë dhe besoj që kjo të bëhet së shpejti”, ka deklaruar Thaçi. Ai ka shtuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është një lajm i mirë, jo vetëm për dy vendet, por edhe për tërë rajonin.
“Për perspektivën tonë të përbashkët të integrimit në strukturat euroatlantike”, ka pas deklaruar shefi i qeverisë kosovare.
Duke komentuar deklaratën e presidentit malazez Filip Vujanoviq “ se nuk do të nënshkruajë letrat kredenciale, derisa pakica malazeze të mos njihet në Kosovë, Thaçi ka thënë se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është ndërtuar mbi parimet qytetare dhe multietnike.
Ndërkohë, avokati nga Prishtina, Azem Vllasi, ditën e diel ka deklaruar për të përditshmen opozitare “Dan” të Podgoricës, se “Mali i Zi nuk ka ndonjë interes të posaçëm që të nxitojë shkëmbimin e ambasadorëve me Kosovën, edhe për momentin askush nuk di se kur do të ndodh kjo.
“Edhe njëra edhe pala tjetër kanë thënë se do të ndodhë kjo një ditë “,- është shprehur Vllasi.
Ndërkaq, Forca e Re Demokratike, parti e rëndësishme parlamentare shqiptare në Mal të Zi edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet që Podgorica e ka njohur Republikën e Kosovës, në fillim të vitit të kaluar u vendosën marrëdhëniet diplomatike, por as sot e kësaj dite nuk janë emëruar as vendosur ambasadorët në Prishtinë, përkatësisht në Podgoricë.
“Secila qeveri, do të duhet të qëndrojë fuqishëm pas vendimit të vet, por dy vjet e më shumë zvarritje janë shumë për kalkulime,- shprehet deputeti i Forcës, nënkryetar i këtij subjekti politik parlamentar shqiptar.
Ish- punëtorët e Kosovës, shtetas të Malit të Zi thonë se kanë probleme jashtëzakonisht të pazgjidhura për kohën e punës së kaluar në Kosovë deri në fillim të viteve 90- të, kur edhe ata, sikur punëtorët tjerë të Kosovës, u nxorën me dhunë nga regjimi i Milosheviqit.

Profesori i artit figurativ Mehmet Aloja thotë se më shumë se 17 vjet kam punuar në Gjimnazin e Lipjanit. Ku të kërkoj të drejtat e mia që të marrë edhe për ato vite pune pensionin.
Mehmeti thotë se në Ulqin ka shumë veta që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre.
Në Podgoricë ende Kosova nuk ka ambasador, as Mali i Zi në Prishtinë. Ky është një shqetësim shumë i madh sepse nuk kemi asnjë adresë për të kërkuar zgjidhjen e këtyre probleme ekzistenciale që kemi.
Të kësaj kategorie ka shumë ish- punëtorë të Kosovës, shtetas të Malit të Zi. Vrapojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë, duke dhënë edhe para të shumta, por “nga këto mashtrime kanë mbetur duarthatë!”

KOHA NET
YouTube Preview Image