Shqiptarja Edita Abdiu realizon duet me Ricky Martin

March 11, 2011   | Lajmet / Vijesti

Kënga më e re e yllit botëror “The Best Thing About Me Is You” ka kohë që është lansuar nëpër mediet e njohura në botë, por për tregun gjerman, këngëtari nga Porto-Riko ka zgjedhur shqiptaren Abdiu për ta realizuar këtë këngë në duet.

Ndërsa për shumë këngëtarë të njohur në botë, të realizosh një duet me Ricky Martin, mbetet vetëm ëndërr, për shqiptaren Edita Abdiu, kjo tashmë është bërë realitet. Fituesja e vitit të kaluar në sezonin e parë të emisionit të njohur muzikor në Gjermani “X Factor”, Edita Abdiu (Abdieski) ka përfunduar duetin me këngëtarin e famshëm Ricky Martin.

Kënga më e re e yllit botëror “The Best Thing About Me Is You” ka kohë që është lansuar nëpër mediet e njohura në botë, por për tregun gjerman, këngëtari nga Porto-Riko ka zgjedhur shqiptaren Abdiu për ta realizuar këtë këngë në duet.

Javë më parë ata janë takuar në Keln të Gjermanisë ku kanë përfunduar incizimet e këngës në studion e suedezit Jorgen Eloffsen, një producent ky i cili ka realizuar këngë edhe për Briteny Spears e shumë këngëtarë të tjerë me nam botërorë. Mediet gjermane i kanë kushtuar vëmendje të posaçme duetit të Ricky-t dhe Editës, ndërsa këngëtaren shqiptare e kanë krahasuar si një nga zërat më të mirë në Gjermani.

Pas përfundimit të këngës, që të dy janë ndarë shumë të kënaqur me punën e përbashkët. “Të falënderoj për bashkëpunimin”, thuhet t’i ketë thënë pop-ylli Ricky Martin këngëtares sonë. Në anën tjetër, Edita e cila në kohën e adoleshencës e kishte si idhullin më të madh, është shprehur shumë e emocionuar për realizimin e ëndrrës së saj, si dhe për takimin që ka pasur me këngëtarin Martin. “Ai është një tip shumë miqësor, njeri i thjeshtë, me të cilin mund të diskutosh për çfarëdo bisede”, ka treguar 26-vjeçarja Edita.

Pasi kanë përfunduar incizimet e këngës, ata janë ndarë, por jo edhe për të ndarë miqësinë e tyre. Të dy këngëtarët pritet që të takohen sërish në Porto-Riko, ku Ricky Martin ka ftuar Editën që të jetë pjesë e miqve për të festuar ditëlindjen e 40-të të tij.

Më 18 mars albumi i Editës në shitje

Edita ka qenë tej mase e angazhuar gjatë këtij viti. Ajo me hapa shumë të shpejt dhe duke punuar me kompozitorët më të njohur në Gjermani dhe jashtë saj, ka arritur që të grumbullojë këngët për të edituar albumin e parë me titull “One”. Albumi do të dalë në treg me datën 18 mars, ndërkaq pjesë e albumit është edhe dueti me Ricky Martin. Ditë më parë ajo ka lansuar edhe videoklipin e këngës “The Kay” që është paraprijëse e albumit.

Edita është e lindur në Bernë të Zvicrës nga babai shqiptar i Maqedonisë dhe nëna shqiptare nga Mali i Zi. Ajo është fëmija më i madh i familjes, ndërkohë babai i saj ka vdekur nga një sëmundje të pashërueshme kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe. Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Bernë të Zvicrës, ndërsa tash e disa vite jeton në Keln të Gjermanisë.

Arben Gjinaj
Zeri
YouTube Preview Image