Gjimnazi Privat “Drita” kremtoi të shtunën Ditën e shkollës

March 14, 2011   | Shoqëria / Društvo

Në hap me kohën
Gjimnazi Privat “Drita” është themeluar në vitin 2006. Ai është gjimnazi i parë privat në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe gjimnazi i vetëm privat në vend. Vitin e kaluar nga ky institucion shkollor ka dalë brezi i parë i nxënësve të diplomuar. Në këtë gjimnaz aktualisht vijojnë mësimin 110 nxënës.
Ulqin – Gjimnazi Privat “Drita” kremtoi të shtunën 7 Marsin – Ditën e kësaj shkolle. Në solemnitetin e organizuar me këtë  rast në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin morën pjesë nxënës, prindër të nxënësve, mësues e arsimtarë dhe të ftuar të tjerë nga jeta politike, ekonomike, kulturore etj. Drejtori i Gjimnazit, Bilal Alaj, foli për rrugën nëpër të cilën ka ecur kjo shkollë që nga themelimi e deri më sot. Ai tha ndër të tjera se Gjimnazi “Drita” ecën në hap me kohën dhe se është rritur nga viti në vit. Me këtë rast përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Nxënësit e Gjimnazit “Drita” më pas shfaqën për të pranishmit një program kulturon-artistik të përbërë nga muzika, këngët, vallet, humori, etj., ndërsa në galerinë “Art” të Qendrës së Kulturës u ekspozuan fotografitë dhe punimet figurative të realizuara nga nxënësit e kësaj shkolle. Gjimnazi “Drita” ndau çmime për nxënësin më të mirë të kësaj shkolle, Ardian Çoboviq, si dhe për nxënësit më të mirë sipas paraleleve. Duke vazhduar traditën e filluar nga viti i kaluar, ky gjimnaz shpërbleu me rastin e Ditës së shkollës mësuesit veteranë nga Komuna e Ulqnit, Dul Holli, Xhemal Milla, Syme Kokaj dhe Halit Avdiu. Gjimnazi “Drita” është hapur në shtator të vitit 2006 dhe është gjimnazi i parë privat në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktualisht gjimnazi i vetëm privat në Mal të Zi. Vitin e kaluar nga ky gjimnaz ka dalë brezi i parë i nxënësve të diplomuar. Në këtë institucion arsimor mësojnë aktualisht 110 nxënës.

I.Kallaba
Koha Javore