Festa e ullirit, atraksion turistik në Ulqin
Ulqin, 28 mars – Në ambientin më të njohur turistik të Ulqinit, Ranë,fundjavën që lëmë pas, u mbajt Festa e parë e ullirit në këtë qytet, ndonëse me shekuj njihet si kultivues i spikatur i kësaj peme industriale.
Ky manifestim, i organizuar nga komuniteti “Qytetet kreative të Evropës”, Komunën e Ulqinit dhe organizata e të rinjve të Ulqinit, iu përkushtua gastronomisë tradicionale ulqinake, tërhoqi prodhuesit nga të gjitha qytetet e bregdetit të Malit të Zi, Podgorica dhe Shkodra, njofton KosovaLive. Ata u prezantuan me produktet e tyre, jo vetëm nga ulliri.
Pa mëdyshje, në këtë panair, siç e quajtën vetë pjesëmarrësit, përveç gatimeve tradicionale, dominonte vaji i ullirit, por edhe ullinj të konservuar, sapun natyror ulliri, i cili ende vazhdon te jetë i kërkuar në treg për vetitë e tij shëruese të lëkurës dhe kundër rënive të flokëve.
“Ky është vetëm fillimi i këtij projekti kompleks, edhe nuk dua të flas shumë, dua të shijoj e blej derisa janë në stenda sa më shumë këso prodhimesh fantastike “,- u shpreh Carls Landrei, përfaqësues i “Qyteteve kreative të Evropës”.
Ndër ekspozuesit ishte edhe fermeri i njohur i dhive nga Ana e Malit, Selatin Gjeloshi. Ai kishte ekspozuar djathin edhe qumështin e dhive. Ai shpjegon se prodhimet e tij janë unikale, jo vetëm me këtë rast në Ulqin, por edhe në të gjitha panairet tjera të rajonit, në Mal të Zi apo Shqipëri, meqë vijnë nga një ambient me mjedis të pastër malor.
Ulqinaku, Munib Abazi, i cili merret tash 3 dekada me turizëm, vlerëson se secili manifestim që mbahet në Ulqin duhet të ketë karakter turistik.
“Kjo ka një rëndësi të posaçme për të prezantuar vlerat tradicionale dhe moderne në mënyrën më origjinale të Ulqinit edhe jashtë tij, sidomos në vendet evropiane”,- thotë Munibi duke theksuar se projektet e këtilla duhet t’i përkrahin e ngrisin në nivelin më të lartë institucionet lokale, e të lënë anash interesat personale dhe grindjet politike.
Ndërkaq, bashkërenduesja e manifestimit, Leze Lazari vlerëson se Festa e ullirit në Ulqin ia ka arritur qëllimit edhe ajo duhet të bëhet tradicionale.
KOHA NET






