U mbajt Turneu XI Ndërkombëtar i Karatesë Ulqini Open 2011

March 28, 2011   | Sporti / Sport

Turne masovik dhe cilësor

Ulqin – Klubi i Karatesë “Ulqini” në bashkëpunim me Federatën e Karatesë së Malit të Zi organizoi të dielën në sallën e Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin Turneun XI Ndërkombëtar të Karatesë “Ulqini Open 2011”. Turneu i sivjetshëm u mbajt për nder të ish trajnerit të KK “Ulqini”, Domeniko Beli Elezoviq, njërit prej themeluesve të këtij klubi të parë të karatesë në Ulqin, i cili ka merita të mëdha për zhvillimin e sportit të karatesë në Ulqin.

Në turne morën pjesë 39 klube të karatesë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Serbia, me gjithsej 719 garues. Vendi i parë në renditjen e përgjithshme i takoi KK “Buduqnost” nga Podgorica, vendi i dytë KK “Omlladinac” nga Podgorica dhe vendi i tretë KK “Bar” nga Tivari, të cilët u shpërblyen me kupa. Garuesja më e mirë e Turneut u shpall Anja Joviq nga KK “Omlladinac”, ndërsa garuesi më i mirë Abdurahim Idrizi i KK “Forca” nga Shkupi. Në kategorinë open të grupmoshës 1993 e më të vjetër punuan shumë garues të njohur, të cilët u shpërblyen me kupa dhe të holla. Nga radhët e djemve, në këtë kategori, vendi i parë i takoi Lubisha Mihajloviqit nga KK “Buduqnost” nga Podgorica, kurse për femra, vendi i parë i takoi Drenushe Merkos së KK “Drini” nga Struga. Pjesëmarrja e garuesve më të mirë nga klubet pjesëmarrëse bëri që konkurrenca të jetë shumë e madhe. Nga KK “Ulqini” kanë bërë të ditur se janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e klubeve duke bërë që ky të jetë njëri ndër turnetë më masovikë dhe më cilësorë në vend dhe rajon. Garuesit e KK “Ulqini”-t, për shkak se ishin organizator të turneut, nuk konkurruan për shpërblime.

 

Klubi i karates Ulqini