Kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga u takua me z. Predrag Sekuliq

March 29, 2011   | Politika

Kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga u takua me z. Predrag Sekuliq ministër i zhvillimit të qendrueshëm dhe turizmit. Takimi u zhvillua me iniciativë të kryetarit Hajdinaga dhe u fokusua në disa çështje të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Z. Hajdinaga e njoftoi për aktivitete që janë bërë dhe të tjera që janë në rrjedhje e sipër e që kanë të bëjnë me sezonin turistik. U veçua pjesëmarrja në bursat turistike dhe preznatimi në Panairin e Prishtinës ku komuna jonë edhe këtë vit do të jetë e pranishme. Çështje tjetër e rëndësishme ishte ajo e planeve për disa lagje të qytetit ku kërkohet jetësim i tyre më i shpejtë dhe dhënia e dritës jeshile nga organet kompetente republikane.

Kryetari Hajdinaga me këtë rast shprehu shqetësimin e tij për konkursin e paralajmruar nga ana e Sipërmarrjes për të mira detare për shfrytëzimin e plazheve. Kërkesë e z. Hajdinaga ishte që përparsi të kenë ata persona të cilët kanë investuar shuma të konsiderueshme në ta.

Nga ana tjetër ministri Sekuliq përshëndeti takimin dhe theksoi që ndihma nuk do të mungojë por do të punohet në çështje që janë më prioritare për momentin. Ai po ashtu theksoi se sezoni turistik duhet të na gjejë të gjithëve të përgatitur dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë mund të na çojë drejtë rezultateve më të mira.

 

Municipality of Ulcinj / Ulqin
Arsllan Hajdinaga