Kosovarët janë ftuar t’i kalojnë pushimet verore në bregdetin e Ulqinit

April 8, 2011   | Shoqëria / Društvo

Kosovarët janë ftuar edhe këtë vit t’i kalojnë pushimet verore në bregdetin e Ulqinit.Kjo ftesë u bë nga kryetari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, në kuadër të panairit të tetë të turizmit “Travel & Tourism Fair 2011”, i cili po mbahet në Prishtinë.

Hajdinaga ka thënë se kosovarët cilësohen si vizitorët më të mëdhenj të Ulqinit.

Ai ka shtuar se tani pala kosovare e ka ftesën për t’i kaluar pushimet në Ulqin dhe tani kanë mundësi që të shohin se çfarë ka bërë pushteti lokal për këtë vit.

“Kemi investuar në pastërti, në ndriçim, në infrastrukturë, gjë që do të vërehet po sa të mbërrini në Ulqin”, ka thënë ai.

Sipas tij, qeveria dhe qytetarët e Malit të Zi janë të vetëdijshëm që kosovarët janë një ndër çështjet prioritare për t’iu ofruar komoditet.

Edhe Ali Rexha, drejtor i qendrës së turizmit në Mal të Zi, ka thënë se kanë bërë prezantime të shumta nëpër vendet perëndimore, ku kanë arritur të nxisin turistë të shumtë për t’i kaluar pushimet në bregdetin e tyre.

“Ne e kemi ruajtur tregun e Kosovës, të cilin e konsiderojmë si lokomotivë të turizmit ulqinak”, ka shtuar ai.

Luigj Shkreli, deputet i parlamentit të Malit të Zi, ka thënë se Ulqini këtë vit ka përgatitur një pako atraktive turistike për ata që do t’i kalojnë pushimet verore këtë vit në këtë qytet. Sipas tij, ata që do ta zgjedhin edhe këtë vit Ulqinin për t’i kaluar pushimet, mesiguri se do të vijnë edhe vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, Hajdinaga ka shtuar se Ulqini si komunë ka vetëm 25 mijë banorë, ndërsa gjatë 70 ditëve të sezonit veror numri i banorëve arrin deri në 130 mijë.

Sipas tij kjo flet për një rritje prej 100 mijë banorëve në Ulqin gjatë 70 ditëve, të cilët i kalojnë pushimet këtë vit në këtë qytet.

Lidhur me çmimet për pushuesit, ai ka thënë se çmimet janë tejet atraktive për pushuesit.

P.Sherifi

ZERI
YouTube Preview Image