Dita e Ulqinit në Durrës, Dako takohet me delegacionin ulqinak

April 11, 2011   | Lajmet / Vijesti, Politika

Bashkia Durrës, së bashku me Shoqatën Kulturore “Ulqini”, kanë organizuar një seri veprimtarish të karakterit shkencor dhe kulturor në vlerësim të komunitetit ulqinak që banon në Durrës.

Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dita e sotme për qytetin bregdetar ka pasur si lajtmotiv “Dita e Ulqinit në Durrës”. Në vlerësim të kësaj nuk ka munguar një sesion shkencor me tematikë “Ulqini, historia dhe traditat”, si dhe ekspozita me piktorë mjaft të njohur ulqinakë.

Për të marrë pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga Bashkia e Durrësit, kanë qenë të pranishëm edhe mjaft zyrtarë të lartë të komunës së Ulqinit, që kryesoheshin nga Zenel Katana, i cili është këshilltari kryesor i kryetarit të komunës Ulqin, Gëzim Hajdinaga. Delegacioni ulqinak që shoqërohej nga kryetari i shoqatës kulturore Ulqini, Zihni Beqiraj, fillimisht është pritur në një takim të veçantë nga kryebashkiaku Dako në ambientet e Bashkisë së Durrësit.

Në këtë takim, Dako vlerësoi bashkëpunimin midis Bashkisë dhe Komunës së Ulqinit, bashkëpunim i cili mbështetet edhe mbi një memorandum zyrtar të firmosur kohë më parë nga kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, dhe kryekomunari i Ulqinit, Hajdinaga.

Sipas Dakos, forcimi i lidhjeve midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit, si dhe shkëmbimi i përvojës në fushën e turizmit është në themel të këtij bashkëpunimi. Kryebashkiaku nga ana tjetër ka vlerësuar posaçërisht kontributin e komunitetit ulqinak në Durrës në zhvillimin e qytetit, rritjen e vlerave të bashkëjetesës, si dhe forcimit të marrëdhënieve në plan kombëtar dhe lokal mes Durrësit dhe Ulqinit.

Nga ana e tij, zoti Katana ka vlerësuar në mënyrë të veçantë rolin e kryebashkiakut Dako në forcimin e marrdhënieve dhe të bashkënimit mes Durrësit dhe Ulqinit, në vlerësimin e komunitetit ulqinak për zhvillimin e Durrësit, si dhe në zbatimin në mënyrë konkrete të marrëveshjes mes Bashkisë Durrës dhe komunës së Ulqinit.

Vlerësime për punën e tij në këtë drejtim kryebashkiaku Dako mori edhe nga anëtarë të tjerë të delegacionit ulqinak. Më pas, kryetari i Bashkisë së Durrësit ka marrë pjesë edhe në sesionin shkencor ku kanë referuar mjaft personalitete si prof. Dr. Bahri Brisku me temën “Një mozaik kulturor-artistik i Ulqinit”, Dr. Sali Hidri me temën “Mbi Ulqinin e ulqinakët në Durrës”, Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku me temën “Ulqini në disa përmasa kërkimi” si dhe Hasan Ulqini dhe Halim Maloku me temat “Skllevërit italianë në Ulqin” dhe “Integrimi mbarë shqiptar”.

Gjatë kësaj veprimtarie, kryebashkiaku Dako, në vlerësim të punës dhe kontributit të ulqinakëve në Durrës, ka ndarë edhe disa tituj nderi. Me titullin “Nderi i Qytetit” është vlerësuar Fuat Bilali, ndërsa me titullin “Mirënjohja e Qytetit” janë vlerësuar familjet Peku, Molla dhe Truma, Isuf Fani dhe Melek Kalamishi (pas vdekjes). Me titullin “Mirënjohja Ulqinake”, dhënë nga Shoqata Kulturore “Ulqini”, janë vlerësuar Ramazan Beja dhe gazetari Artur Llanaj.

Shekulli Online
YouTube Preview Image

1