Ciljeta Xhilaga: Askush nuk e priste që unë do arrija të kërceja

May 3, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ajo është bërë pjesë e “Dancing with the stars”, duke shtuar kështu listën e gjatë të eksperiencave në jetën e saj të re. Por, nëse të këndojë, të prezantojë, të jetë imazh promocional apo edhe të merret me politikë është parë nga njerëzit që e pëlqejnë këto aktivitete që i pështaten talentit apo grintës së saj, pak mund të besonin se Çiljeta do arrinte të kërcente mirë në një kompeticion kërcimi, madje as ajo vetë. Ja çfarë na tregon këngëtarja për këtë sipërmarrje që i pëlqen aq shumë dhe që e ka bërë të mendojë se ka dhunti edhe si balerinë, pavarësisht se duhet shumë punë për t’ia dalë.

Pas disa javësh në “Dancing with the stars” a mund të themi se e ke fituar bastin me veten, por edhe me ata që pak besonin se mund t’ia dilje?

Mendoj se po. Në fakt, për një këngëtare të kërcejë është gjë normale, pasi vetë muzika të inspiron të bësh lëvizje trupi, por këtu nuk flitet për atë lloj kërcimi. Këtu flitet për gjini tejet të vështira si ‘çarleston’, ‘ça ça ça’ apo ‘paso doble’. Dhe jo vetëm unë, por edhe dashamirësit e mi  më kanë bërë komplimente për mënyrën se si jam paraqitur deri tani.
Si i ke pasur më parë marrëdhëniet me kërcimin?
Ju e dini, unë jam paksa natyrë përtace, filloj palestrën pastaj e lë, mirëpo kërcimi do një disiplinë të madhe dhe unë thjesht iu futa me vullnet, që të jepja më të mirën. Kam pasur shumë fat me balerinin që më shoqëron,  Dionin. Me atë dhe familjen e tij njihem prej shumë vitesh dhe kjo është shumë e rëndësishme në kërcim, pasi duhet një marrëdhënie miqësore për ta mirëkuptuar njëri- tjetrin. Në fillim i thoshin të gjithë se do e kishte pak  të vështirë me një partnere si unë, por falë punës së tij dhe këmbënguljes sime them se po ia dalim shumë mirë.
A ka pasur ndonjë moment të vështirë gjatë këtyre netëve, që nuk është kapur nga syri i shikuesve?
Po, ka qenë një padieshkë, kur Dioni duhej të më ngrinte lart me një krah, ishte shumë e vështirë dhe ne nuk e dinim nëse do e arrinim, por në fund gjithçka shkoi shumë mirë.
Cilët janë konkurentët më të fortë sipas teje, deri tani?
Mendoj se janë Vesa, Olta, Shpati, Enveri.

Sa e vendosur je për të fitar çmimin e parë dhe shumën  që është vendosur si trofe?
Sa për shumën, të jem e sinqertë ende nuk e di sa është, këtë nuk na e ka thënë njeri. Është normale që kam ambicie, por unë nuk futem me ethe të forta në garë, pasi nuk besoj shumë tek kompeticionet. Thjesht përpiqem të jap maksimumin dhe të pëlqehem nga publiku.
Arjan Çani shpesh të ngacmon, duke bërë disa komente pikante, si ndihesh, mërzitesh?
Aspak, si mund t’ia marr për keq Arjanit, e kam mik të vjetër dhe kam bindjen se ai asgjë nuk ma thotë me të keq.
Aleksandri, i dashuri yt, çfarë mendon për këtë eksperiencë tënden, ka ardhur ndonjëherë të të ndjekë live?
Nuk ka ardhur, sepse është jashtë, por i ka ndjekur të gjitha performancat e mia në Youtube dhe më ka bërë komplimente, nuk arriti ta besonte që ia dola. Më vjen mirë që nuk është xheloz, kjo gjë më pëlqen, sepse të kërcesh me një partner duket si një marrëdhënie shumë e afërt, por ai e kupton këtë lloj marrëdhënieje artistike.
A mendon se kjo eksperiencë do të shërbejë më vonë në karrierën tënde si këngëtare?
Po patjetër, do t’i përdor këto kërcime në klipet e mia, në koncerte, dhe pse jo do të kërcej edhe më mirë në lokale të ndryshme, kur të dal për qejf. Nganjëherë e imagjinoj veten në lokalet e natës në Spanjë, duke kërcyer ashtu siç më ka mësuar Dioni. Është bukur të dish të kërcesh.

 

Panorama Plus
YouTube Preview Image

1