KK Ulqini në tri garat e fundit vazhdon traditën me suksese të reja

May 10, 2011   | Sporti / Sport

Klubi i Karatesë “Ulqini” në tri garat e fundit vazhdon traditën e vet me suksese të reja

SUKSESE TË NJËPASNJËSHME

Në turneun “14 SEPTEMBAR”, i cili u mbajt në Podgoricë, i organizuar nga Klubi i Karatesë “Buduqnost”  dhe ku morën pjesë rreth 400 garues, Klubi i Karatesë “ULQINI” mori pjesë me 48 garues nga moshat e vogla e deri në juniorë. Në këtë garë garuesit tanë arritën të kurorëzohen më 74 medalje, prej të cilave 22 të arta, 25 të argjendta dhe 27 të bronzta dhe klubi u rendit në vend të dytë në renditjen e pergjithshme. Vendi i parë i takoi Klubit të Karatesë “Buduqnost”, ndërsa në vend të tretë u rendit Klubi i Karatesë  “Bar” nga Tivari.

Në Kampionatin e Malit të Zi për fatosa, pionierë dhe shpresa, i cili u mbajt vetëm në disciplinën e katave nga klubi ynë Kampione e Malit të Zi u shpall Eliza Salihu, kurse garuesit tjerë u kurorëzuan me medalje  të bronzta. Ky kampionat sipas kalendarit është paraparë të mbahet më 28 maj dhe vetëm katër ditë para mbajtjes së Kampionatit na informuan se ai do të mbahet më heret dhe se ka ndryshime në rregullore. Edhe pse përgatitjet kanë qenë në vijim, ky ndryshim ka ndikuar mjaft në rezultatin e gauresve tanë. Tash ne jemi duke u përgatitur për Kampionatin e Malit të Zi në luftëra për të njëjtat gjenerata, ku aty do të dëshmojmë veten si gjithmonë me rezulate të mira.

Në turneun e II Internacional të Karatesë “Budva Open 2011”, i cili u mbajt në Budvë i organizuar nga Klubi i Karatesë “Stari Grad” nga Budva, Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 17 garues:  2 pionierë, 2 shpresa,7 kadetë, 4 juniorë dhe 2 seniorë, të cilët garuan vetëm në  disiplinën individuale në luftëra.
Në këtë garë morën pjesë 580 garues nga 31 klube nga Kroacia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe klubet nga Mali i Zi. Garuesit e Klubit të Karatesë u kurorëzuan me 13 medalje: 6 të arta, 2 të argjendta dhe 5 të bronzta. Me medalje të artë u kurorëzua Ensar Marshiq, Bledar Seferi, Hantie Ibroçi, Radica Dashiq, Dardan Ceka dhe Allmir Hajdari. Me medalje të argjendtë u kurorëzuan Ena Kovaçeviq dhe Izabella Ivanoviq, ndërsa me medalje të bronztë u kurorëzuan Katarina Marnikoviq, Edin Kraja, Lulzim Suma, Lavdim Tula dhe Albion Duraku.

-Kjo garë ishte një test i mirë për garuesit tanë para Kampionatit të Malit të Zi dhe Kupës së Malit të Zi. Është ky një vazhdim i sukseseve tona, por ne nuk do të ndalemi këtu, pasi që na presin dhe shumë sfida të tjera, prej të cilave me siguri do të dalim fitimtarë, – shprehen trajnerët e klubit Naim Duraku, Anell Beganoviq, Blerim Sukaliq, Kujtim Sukaliq, Ruzhdi Rama dhe udhëheqësi i ekipit profesinal të trajnerëve Gjorgje Daboviq.

Udhëheqësia më e lartë e klubit në krye me kryetarin Loro Nrekiq shprehin kënaqësinë e tyre me punën e trajnerëve dhe rezultatet e mira të garuesve të tyre: -Kemi një ekip profesionistësh të trajnerëve dhe kjo është edhe një aryse që edhe në të ardhmen t’i ndihmojmë edhe më tepër këta të rinj. Drejtori i marketingut Skender Tahiri apelon te të gjithë institucionet publike dhe ato private dhe te të gjithë qytetarët që të ndihmojnë të rinjtë, të ndihmojnë sportin, se kjo është rruga e duhur për rininë tonë.

SHËRBIMI INFORMATIV I KK ULQINI



YouTube Preview Image