Big Basta, romancë dashurie me Vesa Lumën

May 15, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ai është çun Tirone dhe ajo gocë Prishtine. Fjala është për këngëtarët Gerald Xhari (Big Basta) dhe Vesa Luma. Ia ka shkurtuar distancat profesioni i njëjtë, muzika dhe, për më tepër spektakli “Dancing with the stars” në “Vizion Plus”, ku ata si dy artistë VIP në konkurrim, në këtë rast janë rivalë. Por, jashtë skenës ku VIP-at synojnë të fitojnë çmimin që vlen një makinë Jaguar, kanë filluar të afrohen më shumë, duke mos u parë më si kundërshtarë, por pak më shumë se si dy miq, duke i dhënë njëri-tjetrit edhe kurajë. Dhe nëse do të bëhet fjalë për këngën, ata tashmë do bashkojnë stilet e tyre muzikore, ndërsa po përgatiten të dalin çift me një klip të ri. Kjo do të jetë një dalje e re artistike për ta, pas këngës së Vesës me titullin “Vetëm” dhe pas klipit të Bigut me titull “Muzikës sime”. Nëse do t’u referoheshim fabulave të këngëve të tyre, ata këndojnë me statuset “single”, por pse jo të hapur për një “love story”. Por, cila ka qenë deri tani jeta e tyre private e shkruar në faqet e gazetave? Vesa është përfolur për ndonjë histori që tashmë ka marrë fund, ndërsa Big Basta u ka shpëtuar gjithmonë faqeve të gazetave, për sa i përket jetës private. E, me sa duket, “Dancing with the stars” është një show, ku emocionet ngatërrohen, dhe ku është vështirë që një histori që lind të mund të mbahet aq sekret, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për një afeksion që nuk u ka rënë ende në sy konkurrentëve të tjerë. Aq diskret është shfaqur Big Basta deri tani kur bie fjala për femrat, sa komenti i tij në një nga netët e fundit të spektaklit se Vesa ishte një nga këngëtaret më të mira përfaqësuese të Kosovës, nuk u vu në diskutim nga anëtarët e jurisë apo prezantuesit, Ami e Ermali. Gjithsesi, ne zbulojmë se nuk ishte thjesht një kompliment, por një konsideratë e sinqertë e shprehur publikisht nga Big Basta për këngëtaren kosovare. Ky afeksion mes tyre ka nisur pikërisht këto muaj që Vesa ka lënë Prishtinën dhe është vendosur në Tiranë për show-n. Ka filluar si një miqësi e thjeshtë mes tyre, por tashmë duket se po e shijojnë si një romancë dashurie në fillimet e saj. Madje, të enjten e spektaklit, Vesa nuk ka preferuar ta festojë 25-vjetorin e ditëlindjes së saj me grupin e VIP-ave të “Dancing with the stars”, të cilët janë mbledhur në club “Tokio”, në zonën e ish-Bllokut. Ajo ka zgjedhur ta festojë ditën e saj të veçantë larg syve të tyre dhe në intimitet me Bigun. Jo pa qëllim, Olsi Mingomataj, i cili e ka lënë tashmë show-n e kërcimit, kishte planifikuar festë për Vesën në club-in e tij, për t’i bërë këtë surprizë asaj dhe stafit. Nga ana tjetër, Bigut i takonte të festonte dyfish, pasi ai i shpëtoi “dance off-it”, ku triumfoi ndaj francezes Eloise le Petit. Ilir Shaqiri vendosi të zgjidhte Bigun për të vazhduar garën më tej, duke shprehur po ashtu dhe simpatinë që kishte ndaj tij si artist. Dy këngëtarët në fakt njihen prej pesë vitesh, qëkur Vesa filloi të bëhej e njohur në Shqipëri pas reality show “Ethet”. Ndërkohë, as Big Basta dhe as Vesa Luma nuk kanë pranuar të flasin më shumë rreth kësaj historie, edhe pse janë parë të shoqërohen gjithnjë e më shumë bashkë, duke kaluar kështu kohën e lirë që u mbetet pas provave dhe angazhimeve të tjera në muzikë.

Bigu dhe Vesa, shfaqja e parë si çift do të jetë me një klip

Tashmë thuhet se kanë realizuar një këngë të re bashkë, një krijim shumë energjik, që pritet të bëhet “hit” vere. Bëhet fjalë për një klip veror të realizuar nga Dj Blunt, me vargje të shkruara nga Bigu, një këngë kjo që do të jetë pjesë e albumit të Dj Blunt, ku do të këndojnë Bigu dhe Vesa. Në këtë duet Vesa do të shfaqet në një stil krejt të ri dhe shumë modern, ndërsa Bigu në stilin e reperit të sofistikuar, ndërsa kuriozitet mbetet nëse do të bëhet fjalë për ndonjë fabul që lidhet me afeksionin e krijuar mes tyre apo jo. Big Basta, i cili tashmë menaxhohet si artist nga kompania “Start”, më 14 shkurt publikoi klipin me titull “Muzikës sime”, ku kishte të ftuar këngëtaren e re Beatrix Ramosaj. Kënga, me muzikë të Edlir Begollit, realizuar nga “Big City studio”, shoqëruar me video nga “The Zoom Production” në bashkëpunim me Supersonic Production, edhe pse u publikua në ditën e të dashuruarve, më shumë i kushtohej pasionit të tij për muzikën. Aktualisht, Big Basta përveç angazhimeve me provat e “Dancing with the stars”, po punon për bashkëpunime me Enis Preshevën dhe këngëtarë të njohur, si: Jonida Maliqi, Dafina Zeqiri, Mc Kresha dhe Lyrical Son etj. Një nga këngët e tij, shumë të suksesshme së fundi, i kushtohet Kombëtares së futbollit, një pasion i veçantë i tij. Big Basta së fundi është një nga këngëtarët e njohur hip-hop, si dhe një nga krijuesit e teksteve për shumë këngëtarë. Ambicia e tij është përhapja e kulturës hip-hop në Shqipëri, që të njihen sa më shumë artistët e kësaj rryme, gjithashtu ka si qëllim kryesor promovimin e artistëve shqiptarë të rrymës “black”.

Dy artistët humbën gati 10 kg për spektaklin

 

Vesa me partner Endrin dhe Bigu me partnere Oltën, kanë pësuar ndryshime të mëdha në perfeksionimin e stilit të kërcyerit në këto shtatë javë spektakël. Të dy po eksplorojnë emocione të reja në jetën e tyre artistike, edhe pse Vesa kishte provuar të kërcente në stil të lirë në klipet e saj. Ndërsa pjesëmarrja e Big Bastës në një show kërcimi ishte një surprizë e këndshme për fansat e tij dhe deri diku e paparashikueshme. Mambo, rumba, paso-doble kanë mjaftuar si fillim për Vesën, që të humbë 9 kg nga pesha e saj që në fillim të spektaklit dhe për Bigun që të humbë afërsisht të njëjtën peshë. Për Vesën nuk ishte ndonjë çudi ta shihnim me fustane të stilit klasik, pasi shpesh e kemi parë në baladat e saj, ndërsa Bigu stilin prej reperi e ka zëvendësuar me veshjet e zotërisë elegant. Madje, në këtë prezantim ndryshe të Bigut në publik, fansat janë çuditur, ndërsa kanë zbuluar jo një reper arrogant, por një djalë të kujdesshëm dhe fisnik. Kjo është hera e parë që një reper provon të konkurrojë në një “reality show” me VIP-a që sfidojnë njëri-tjetrin me perfomanca nga baleti klasik e deri tek kërcimi modern.

 

Panorama
YouTube Preview Image