Demarkacioni me Malin e Zi përfundon deri në fund të vitit

May 26, 2011   | Rajoni / Region

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi gjatë qëndrimit në Mal të Zi ra dakord me homologun e tij, Dushko Markovic që deri në fund të këtij viti, Kosova dhe Mali i Zi t’i nënshkruajnë tri marrëveshje, atë për ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe bashkëpunim gjyqësor në çështje penale.

Në njoftimin për media thuhet se u bisedua edhe për demarkacionin e kufirit Kosovë– Mali i Zi, i cili do të përfundojë po ashtu deri në fund të vitit.

Temë tjetër e këtij takimi ishte rregullimi i çështjes së pakicës malazeze në Kosovë, ku zëvendëskryeministri Kuçi e sigurojë homologun e tij, Markovic, se pakica malazeze do të ketë trajtim të njëjtë si të gjithë shtetasit e tjerë të Kosovës.

Kuçi u takua edhe me kryetaren e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica. Në këtë takim morën pjesë edhe kryetari i Këshillit Prokurorial, njëherësh kryeprokuror i Kosovës, Ismet Kabashi, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.

Telegrafi