KK Ulqini zbukuron vitrinën e vet me një kupë speciale

June 14, 2011   | Sporti / Sport

Më 12 qershor 2011 Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë në dy gara

Më 12 qershor 2011, Klubin e Karatesë “Ulqini” dhe mbarë qytetin tonë në Turneun e gjashtë memorial ndërkombëtar të karatesë “Zahir Pajaziti” në Kosovë, e përfaqësuan garuesit tonë Kreshnik Tahiri dhe Allmir Hajdari.
Në këtë garë në konkurencën individuale në luftëra me medaljen e bronztë u kurorëzua Allmir Hajdari.

Ekipi i seniorëve në luftëra, i përbërë nga garuesit e klubit të karatesë “Ulqini” dhe klubit të karatesë “Iliria” nga Prishtina arritën që në një konkurencë mjaft të fortë të mposhtin 5 ekipe dhe të shpallen kampionë të kësaj gare. Ky ishte çmimi më i lartë i këtij turneu dhe ata u shpërblyen me medalje të arta dhe me kupën e speciale të turneut.
Ekipi ishte i përbërë nga garues: Jetmir Rexhepi (KK “Iliria”), Kreshnik
Tahiri (KK “Ulqini”), Flamur Hajdari (KK “Iliria”) dhe Allmir Hajdari (KK “Ulqini”).
-Për veç kupës speciale u shpërblyem edhe me një kupë mirënjohjeje në shenjë të bashkëpunimit të mirë shumëvjeçar të klubit tonë me Federatën e Karatesë së Kosovës dhe klubit organizator të këtij turneu “Fudochi” nga Orllani. Falënderojmë organizatorët e turneut e posaçërisht trajnerin e klubit të karatesë “Iliria” të Prishtinës dhe sekretarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Safet Ramadanin, për ftesën e bërë dhe pritjen, – shtojnë nga udhëheqësia e KK “Ulqini”.

Në këtë garë garuan vetëm seniorët nga Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Kosova dhe ne nga Ulqini.

Po ashtu, më 12 qershor 2011, Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 4 garues në Kupën e Malit të Zi për kadetë, juniorë dhe seniorë, të cilët u kurorëzuan me 3 medalje në disiplinën individuale. Me medaljen e argjendtë u kurorëzuan Petar Barlloviq dhe Hantie Ibroçi, ndërsa me medaljen e bronztëu kurorëzua Radica Dashiq.

-Synimi ynë është që të vazhdojmë me rezultate të mira, me qëllim që të jemi në mesin e më të mirëve siç kemi qenë deri tash. Vetë rezultatet e njëpasnjëshme flasin se kush jemi. Dëshmi për këtë është suksesi ynë në gara, ku përballemi me klubet më të mira dhe arrijmë të jemi pjesë e më të mirëve,- thonë drejtuesit e KK “Ulqini”.

Garuesit e Klubit të karatesë “Ulqini” i presin dhe 2 gara të tjera me të cilat do ta përfundojnë sezonin e parë të garave me një sukses shumë të mirë të arritur në arenat shtetërore dhe në ata ndërkombëtare.
Udhëheqësia e Klubit të karatesë “Ulqini” falënderon Lëvizjen Qytetare “Perspektiva”që e mundësoi pjesëmarrjen në turneun në Kosovë.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”


YouTube Preview Image