Valdanosi i Ulqinit sërish në shitje

June 16, 2011   | Shtypi / Mediji

Ulqini, 16 qershor – Forca e Re Demokratike i ka bërë thirrje Qeverisë malazeze që të ndërpresë aktivitet e dhënies me qira të Gjirit të Valdanosit, por të kthejë pasuritë e patundshme pronarëve legjitimë.
Në këtë parti parlamentare shqiptare shprehin pakënaqësinë e Komisionit të tenderit mbi fillimin e procedures së re që ky lokalitet më atraktiv në Ulqin e në mbarë Adriatikun, të jepet me qira 90 vjet! Njofton KosovaLive.
“Kjo dëshmon se Qeveria e Malit të Zi nuk ka nxjerrë mësime nga tenderët e mëparshëm, kur nën presionin e opinionit dështoi procedura e tenderit”,- shprehet lideri i Forcës, Nazif Cungu.
Përfaqësuesit e Forcës përkujtojnë se më 30 mars të vitit 2007 Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi unanimisht vendimin që kompleksi i ullinjve i marrë padrejtësisht, t’u kthehet pronarëve të mëparshëm.
“Qeveria e bën këtë mbi bazat e autorizimeve të saj të cilat i ka marrë nga Plani me dedikim të posaçëm të të mirave detare. Tash shihet qartë papërgjegjësia e deputetëve të atëhershëm të cilët në Parlamentin e Malit të Zi e kanë votuar këtë ligj”,- thekson Cungu.
Sipas Forcës, kushdo që të vendos mbi Valdanosin, pa pëlqimin e Parlamentit vendor të Ulqinit do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut të komunitetit për të marrë vendime të planifikimit të rëndësishme për ta edhe për qeverisjen vendore.
Këto të drejta, ndër të tjera, dalin nga konventat dhe kartat evropiane,- vlerëson kjo parti parlamentare shqiptare me seli në Ulqin.

KOHA NET