Topi këshillon për maturi liderët shqiptarë të Malit të Zi

July 1, 2011   | Lajmet / Vijesti, Politika

Ulqin, 1 korrik  – Gjatë qëndrimit të tij në Malin e Zi në kuadër të Samitit të SEECP, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi vizitoi qytetin e Ulqinit ku u mirëprit nga Kryetari i Komunës, Gëzim Hajdinaga. Në këtë qytet, Topi zhvilloi një takim me përfaqësues të partive politike shqiptare në shtetin fqinj: Kkryetarin e Alternativës Qytetare Shqiptare, Gjergj Camaj, kryetarin e Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik, Ali Doda si dhe përfaqësues të tjerë të Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Partisë për Prosperitet Demokratik. Në këtë takim, kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje rolin e rëndësishëm të partive politike shqiptare në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Malit të Zi dhe të identitetit të tyre kombëtar, kulturor, gjuhësor e fetar.

Presidenti Topi nënvizoi faktin se përpjekjet e këtyre partive politike duhet të karakterizohen nga maturia dhe përpjekjet për të zgjidhur me dialog kërkesat e tyre ndaj pushtetit qendror dhe administratës, ndërkohë që ndërgjegjësimi i tyre për pjesëmarrje aktive në jetën politike dhe administrative të vendit tashmë është i dukshëm. “Duhet të jeni të bashkuar duke dhënë gjithsekush diçka nga vetja. Duhet bashkëpunim dhe dialog mes jush për të përfaqësuar më së miri interesat e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi, që shërbejnë si urë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve tona?, u shpreh Presidenti i Republikës në këtë takim.

KOHA NET

5