Federata Basketbollit të Kosovës: Prishen me Ulqinin

July 7, 2011   | Sporti / Sport

Përballja ndërmjet Përfaqësues së Kosovës dhe skuadrës së Ulqinit për shkak të presioneve nga ulqinakët u ndërpre para kohe, ndeshjet e ardhshme përfaqësuesja do t’i zhvillojë në Tivar.
Për të dytin vit me radhë Federata e Basketbollit e Kosovës ka zgjedhur qytetin bregdetar të Ulqinit për të përgatitur të rinjtë dhe të rejat e basketbollit të Kosovës. Këtë radhë ata patën bërë një seleksionim më të ngadaltë duke grumbulluar disa herë më të mirët për të bërë më pas edhe përzgjedhjen e tyre, shpenzimet e të cilëve është duke i hequr Departamenti i Sporteve të Kosovës. Por këtë radhë duket se basketbollistëve të Kosovës nuk i ka shkuar në mendje se do të kenë telashe me vendasit, edhe nëse do të takohen në lojëra miqësore me njomakët e kësaj skuadre. Derisa më parë nuk kishin pasur probleme, në ndeshjet miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës në kategorinë deri 16 dhe 18 vjet ishin përcaktuar të zhvilloheshin në fillim të kësaj jave. Në ndeshjen e parë përfaqësuesja jonë shënoi fitore me rezultat 63:51 duke u treguar më të mirë se basketbollistët e skuadrës së Ulqinit. Ndërkaq ndeshja e dytë u ndërpre në gjysmëlojën e parë kur rezultati ishte 37:34.

Sipas Nazmi Paçaradës, sekretar i përgjithshëm i FBK-së, takimi nuk përfundoi fare pasi ata ishin të detyruar të tërhiqen nga ndeshja pas presioneve të mëdha që kishin vendasit. “Ishim të detyruar të mos e vazhdojmë më lojën, pasi vazhdimisht kishte presione ndaj skuadrës sonë nga trajneri dhe drejtuesit e Ulqinit”, bëri të ditur Paçarada. I dyti i basketbollit të Kosovës më pas tha se këtë akt e kanë paralajmëruar edhe në Federatën e Basketbollit të Malit të Zi me ç’rast kjo e fundit kërkoi falje për sjelljen e skuadrës së Ulqinit. “Gjestet e tyre të pahijshme i dënuan basketbolldashësit e mirëfilltë që ishin prezentë dhe për këtë u njoftuan më pas edhe drejtuesit basketbollit të Malit të Zi, të cilët kërkuan falje”, tha më pas ai. Sipas Paçaradës, marrëdhëniet ndërmjet Ulqinit dhe vetë Federatës Malazeze nuk ishin ndër më të mirat dhe në pafuqi për të ndryshuar gjendjen, ata i kanë sugjeruar FBK-së që të bartën në Tivar për të vazhduar me seancat stërvitore deri më 8 korrik, kur edhe ishte planifikuar të përfundojë kampi për basketbollistët e rinj. “Ata na kërkuan që ndeshjet e radhës që i kemi planifikuar në kuadër të këtij kampi të mos i zhvillojmë më në Ulqin, por të kalojmë në Tivar, pasi na u tha se vetë drejtuesit e kësaj Federate nuk kishin marrëdhënie të mira me skuadrën ulqinake pikërisht për shkak të gjërave të ngjashme që ata i shkaktojnë gjatë kampionatit”, përfundoi Paçarada. Krahas përfaqësuesve U-16 dhe U-18, në kampin e Ulqinit janë edhe gjenerata U-18 si dhe ajo e vajzave, me këtë FBK dëshiron që të përgatitë përbërjet bazë të përfaqësues në të gjitha kategoritë.

Alban Lumi
BOTA SOT