Gjurmët e kohërave – Tradita si sfidë

July 7, 2011   | Opinione

Nga Mustafa Canka

Ajo që një bashkësi e bën gjithëherë të mirë dhe të qendrueshme janë vlerat e tilla si toleranca, antiracizmi, respektimi i identitetit tjetër dhe të ndryshëm, zhvillimi ekonomik etj. Këtu ka qenë dhe për fat të mirë është ende prezente përzierja e shumë popujve, fiseve, ngjyrave të lëkurës dhe religjioneve. Ka këtu edhe zezakë tonë të mrekullueshëm, asish që kanë ardhur nga Afrika Veriore.

Ata kanë qenë të shitur, martoheshin me ulqinake, luftonin si ushtarë, merreshin me kusari, bëheshin kapitenë anijesh dhe tregtarë mallrash të plaçkitura dhe robërish. Pasi u bënë të lirë, ishin sikurse të gjithë qytetarët e Ulqinit. Flisnin gjuhën e shumicës, visheshin “alaturka”. Mbanin feste dhe pantallona të gjera, sikurse të gjithë ulqinakët. Jetonin një jetë të gëzuar dhe pa brenga, madje edhe kur i thirrnin krajlat dhe mbretërit, nuk donin ta braktisnin këtë qytet të qetë, qytetin e tyre.

Për hirë të filozofisë së mbijetesës së qytetit, rreth të njëjtës tryezë shpeshëherë uleshin robërit dhe pronarët e tyre. Fakti se robi ka mundur të bëhet qytetar i lirë zhduki çfarëdo segregacioni biologjik mes klasave dhe solli një mobilitet të jashtëzakonshëm shoqëror. Çdokush që ishte i zellshëm, që ishte i dobishëm për gjërat e caktuara, që ishte i nevojshëm, i kvalifikuar dhe profesionist, pavarësisht nga feja dhe raca mund ta gjente vendin e vet dhe të ishte “i shfrytëzuar” në aspektin shoqëror. Të gjithë ishin pjesë e sistemit dhe të gjithë luanin ndonjë rol. Dhe pikërisht kjo ishte lokomotiva që çoi përpara qytetin. Këtu kurrë nuk ka pasur pompozitet, luks të tepruar dhe shkëlqim të rrejshëm. Asohere Ulqini ka pasur më shumë kapitenë të suksesshëm anijesh sesa Kotorri dhe Perasti së bashku! Vetëm nga mesi i shekullit XIX flota e tij vlente mbi 500 mijë dukatë floriri. Por nuk kishte godina të tilla grandioze sikurse në Bokë. Njerëzit jetonin në mënyrë modeste, ata lanë vepra bamirësie, duke u përgatitur për një botë më të mirë. Këta kapitenë kurrë nuk kanë kryer ndonjë shkollë, por dinin për t’u orientuar sipas busullës dhe hartave. Këtë mjeshtëri e kishin fituar me një praktikë të gjatë. Ndoshta mund të pyeteni se si janë bërë të suksesshëm, anipse kurrë nuk ishin marrë me tregëti me shumicë, që do të thotë se nuk kanë blerë dhe shitur mallra. Thjesht: ata vetëm siguronin transportin. Kurse çmimet e transportit në regjinë e tyre ishin tejet të ulëta.

Ulqinakët kanë qenë lindorë pa kompleks ndaj Perëndimit; lindorë të cilët në të njëjtën kohë e duan dhe e njohin Perëndimin. Ata arritën të zhvillohen dhe të mbijetojnë falë mobilitetit të madh dhe vitalitetit të traditës së tyre. Këtë mund ta arrijmë edhe ne sot, mirëpo na duhet ta njohim dhe ta duam traditën tonë, të kemi vetëdije për potencialet e qytetit dhe vizion të qartë, të punojmë shumë dhe në mënyrë serioize. Të gjitha këto tek qytetarët e Ulqinit çdoherë kanë krijuar lidhjen e pashkëputshme ndaj vendlindjes së vet. Të bëhemi edhe ne, në interesin e ardhmërisë sonë, aktorë të denjë të historisë sonë. T. Eliot me të vërtetë ka pasur thellësisht të drejtë kur ka thënë: “Zotërinj, nëse ju nevojitet tradita, atë duhet ta fitoni me një mund të madh”.

Koha Javore
YouTube Preview Image