Ardita Rama: Ulqin ti Kala nga Hajro Ulqinaku

July 8, 2011   | Kulturë / Kultura

Foto: Edin Taipi

PËRURIMI I LIBRIT ULQIN, TI KALA NGA HAJRO ULQINAKU

BIBLIOTEKA E QYTETIT,

E HËNË, MË 20.06.2011, ORA 20

SHETITJE NË ULQIN

Ulqini – florini – me këto fjalë fillon autori Hajro Ulqinaku librin e tij të tretë kushtuar vendlindjes së tij. Ashtu thotë vetë ai. Ulqini, monedhë e artë me tri sipërfaqe, tri libra. I pari Thesar popullor, përmbledhje e krijimtarisë popullore nga trevat tona, i dyti Poetët për Ulqinin- Ulqin, ti det , përmbledhje e poezive të poetëve të ndryshëm kushtuar Ulqinit dhe i treti Ulqin, ti kala, përmbledhje e prozave publicistike, dokumentare, historike e letrare për Ulqinin.

Por, unë s’jam në një mendje me autorin. Profesori i nderuar nuk ia dha vetëm këto tri libra Ulqinit. Ai, vendlindjes së vet ia kushtoi tërë veprimtarinë e tij letrare, duke filluar nga tregimet për fëmijë e deri te kjo antologji. Prandaj, këtij libri unë vendosa të mos i qasem me një vështrim studiuesi, vështrim shkencor, por iu qasa me syrin e një lexueseje të zakonshme, të apasionuar fort pas librit, e cila mu në mesin e librave të parë ka lexuar librat e Hajro Ulqinakut. U rrita me aventurat e pafund të Benit dhe Xheraldinës të cilat i përjetonin në plazhet e bukura të Ulqinit tonë. Lexoja natën deri në agim, që pastaj t’i bashkangjitesha aventurave të tyre edhe unë, por – në ëndërr! Dhe, ja ku jam pas 30vitesh përsëri me libër të Hajro Ulqinakut në dorë deri në orë të vona.

Është e pashmangshme që shkrimtarët diku në një fazë të krijimtarisë së tyre të marrin inspirim e t’i shkruajnë vendlindjes së tyre. E kur flasim për krijimtarinë e Hajro Ulqinakut, largësia nga Ulqini reflektoi dukshëm në veprat e tija. Natyrisht, nuk ka vend më të bukur se vendlindja. Por, siç mund të lexojmë në këtë antologji, Ulqini ka mrekulluar me bukuritë e tij edhe shumë të huaj. Për të nuk shkruajtën vetëm shkrimtarë shqiptarë. Ulqini, ky qytet i lashtë ilir, i vendosur në breg të detit Adriatik, me lumin Buna, liqenin e Shasit, bjeshkën e Rumisë, luginën e Valdanosit, paraqet një mozaik të rrallë të bukurisë natyrore. Plazhet me rërë, pyjet e pishave, kalaja qindravjeçare janë simbole të këtij qyteti turistik aq të dashur për mysafirët e shumtë, të cilët po erdhën një herë në Ulqin, atij do t’i kthehen për çdo vit. Qytet i njohur me legjendat e tij, historinë e të tashmen e koklavitur. Por mbi të gjitha,  janë qytetarët ata të cilët e bëjnë edhe më të larmishëm këtë mozaik të rrallë… Shqiptarë jashtë shtetit amë Shqipërisë, i bënë ballë sundimtarëve të shumtë, duke mos e humbur rrugën e mos lejuar të asimilohen, të harrojnë kush janë, të ruajnë gjuhën shqipe…

Foto nga Edin Taipi

Shumë poetë, studiues e pelegrinë shkruan për Ulqinin e ilirëve, Ulqinin e detarëve sypatrembur, Ulqinin e zezakëve, Ulqinin e Servantesit e Shabatai Zevit… Prandaj, Hajro Ulqinaku nuk e pat të lehtë. Të përzgjedhësh në mesin e krijimeve të shumta për Ulqinin, të hulumtosh, të përkthesh, të vlerësosh, jatë gjitha këto kërkojnë njohuri të mira letrare dhe mbi të gjitha durim e vullnet.

Përmbledhja Ulqin, ti kala është e përbërë nga dy pjesë, dy libra. Në librin e parë Shenja kohe janë përfshirë proza dokumentare, historike e publicistike, ndërsa në të dytin Kala jetike, prozë letrare.

Tekstet në librin e parë janë renditur në mënyrë kronologjike, ndërsa në librin e dytë në radhë alfabetike të emrave të shkrimtarëve. Edhe autorë janë mjaft – 31 në librin e parë, ndërsa 22 autorë në të dytin. Në mesin e tyre ka edhe autorë të huaj, çka kësaj përmbledhjeje i jep një dimension më të gjerë, më të thellë e më të madh.

Në Shenja kohe në mënyrë kronologjke janë renditur tekstet  me vlerë historike, në të cilat përshkruhet jeta në të kaluarën dhe të tashmen në Ulqin dhe veprimtaritë kryesore të qytetarëve të Uqinit: detaria, ullishtaria, peshkimi, tregtia etj. Përveç autorëve nga Ulqini janë këtu autorët e huaj Kurt Hasert dhe Jozef Jan Svatek, të cilët në udhëpërshkrimet e tyre një pjesë ia kushtuan edhe Ulqinit.

Në Kala jetike proza letrare kushtuar Ulqinit është më se e larmishme. Nga Ajete Beqiraj e deri te Zuvdija Hoxhiq-Berisha gërshetohen tregimet e autorëve vendas e të huaj. Një mozaik i vërtetë si edhe vetë Ulqini, si bukuria përrallore…

Vëmendje të veçantë të zgjon edhe titulli i kësaj përmbledhjeje antologjike. Ulqin, ti kala është një ndër metaforat më të bukura që unë kam lexuar për Ulqinin. I qëndrueshëm si kala, i vjetër si kala, i bukur e tërheqës, i paharrueshëm, i përjetshëm…

Dhe pikërisht me shetitje në kala edhe fillon leximi i kësaj antologjie. Vazhdon me lundrimin në det, për të zbritur në sheshin e skllevërve në Kala, ku në mesin e zezakëve u gjend edhe i madhi Servantes, të cilit si duket një ulqinake ia mori zemrën, pastaj para syve zhvillohen luftërat për mbrojtjen e Ulqinit, duke vazhduar me përshkrimin e veprimtarive të tjera karakteristike ullishtari, peshkim e tregti. Natyrisht, shetitja nuk do të ishte interesante, po të mos takonim rrugës njerëz të shquar të historisë së Ulqinit. Ulqinakë apo të ardhur,  i njeh të gjithë Cafo Beg Ulqinin, Shabatai Zevin mistik, princërit Balshaj, por edhe njerëzit e rëndomtë, të paemër, pa të cilët qyteti nuk do të ishte ky që është…Mbi të gjitha gjatë shetitjes mbetemi të habitur nga bukuria e rrallë e këtij mozaiku natyror. Por, rrugës është e pamundur t’i shmangim edhe ngjarjet e dhimbshme, tragjike, të cilat jo rrallë e kanë prekur Ulqinin dhe qytetarët e tij.

Dhe, si çdo shetitjeje, edhe kësaj i vjen fundi. Plot mbresa e mbyllim këtë libër, duke uruar që shetitja ynë të vazhdojë. Ndoshta në Ulqin, ti dashuri. Apo Ulqin, ti dhembje. Do të doja të mundja të them Ulqin, ti e ardhme e ndritur, por ja që e sotmja na lë pak të shpresoj. Ndoshta, ndoshta, edhe kësaj here Ulqini do t’i bëjë ballë fortunës. Ndoshta ka ende shpresë. Ndoshta…

Sidoqoftë, vështrimin tim do ta mbyll me falët fjalët e Ballsha Brkoviqit, i cili tha këtë për Ulqinin:

Një copë e parajsës që rastësisht ka rënë në Tokë. Dhe pikërisht në këtë vend.

E unë do të shtoj: O njerëz, mos e ktheni në ferr!!!

 

Ulqin, qershor 2011                                                              Ardita Rama

                                                            prof. e gjuhës e letërsisë gjermane, bibliotekare

                                                                 udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit Ulqin

YouTube Preview Image