Dhjetë vjet nga themelimi i revistës “Yjet e detit” të Shkollës fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj

July 12, 2011   | Kulturë / Kultura

Mundësi për shprehjen e talentit
Data 20 maj e këtij viti ishte një ditë e shënuar për nxënësit dhe Shkollën fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj. Këtë ditë u bënë dhjetë vjet nga dalja e revistës shkollore “Yjet e detit”.

Profesioni ynë ka shumë sfida. Njëra ndër to është të jesh i sinqertë dhe të lësh hapësirë për bashkëpunim, për të shprehur, por edhe për të mësuar nga të tjerët. Kemi plot ide e potencial për t’i realizuar qëllimet e planifikuara së bashku.

Grupi letrar i shkollës sonë, që e përbëjnë nxënësit më të talentuar së bashku me mësimdhënës, krijojnë e shprehin në prozë e poezi punën dhe përvojën shkollore, të cilat botohen në revistën shkollore tash dhjetë vjet me radhë. Punimet e grupit letrar prezantohen në pavijonin e shkollës, lexohen dhe shprehen nëpër orë letrare që organizohen në shkollën tonë, shkollat e komunës e përrreth, në bibliotekën e qytetit me shkrimtarë vendas e të rajonit, në emisionin për fëmijë të TV “Teuta”, me rastin e festave të ndryshme kombëtare e shtetërore, “Garat e recituesve të rinj” që organizohen nga Fondacioni “Studenti”, Pallatin e Kulturës dhe në gara të ndryshme komunale, shtetërore dhe ndërkombëtare. Ato botohen gjithashtu në gazetën “Koha javore”, në revista e gazeta të ndryshme  ë botohen në Ulqin, ndërsa punimi më i mirë në shkollë lexohet për Ditën e Shkollës.

Dita e Shkollës në programin e vet përmbledh punën dhe angazhimin e të gjithë nxënësëve dhe mësimdhënësve gjatë tërë vitit shkollor, ndërsa shpërblimet, lavdërimet, vlerësimet, çmimet dhe dhuratat shënohen dhe botohen në revistën shkollore.

Suksesi i secilës punë vlerësohet në bazë të arriturave pozitive. Arsimtari i jep ngjyrën dhe zërin përfundimtar gjithë punës në klasë. Aty ku mbretëron shoqëria është udhëheqës vendimtar. Motivimi është fjalë që duhet të jetë përcjellës besnik i arsimtarit, i hapur për dije të reja si dëshirë e sinqertë për fëmijët të cilët zbukurojnë botën dhe të ardhmen e bëjnë të sigurt.

Jam e lumtur që tash dhjetë vjet me radhë angazhoj nxënësit së bashku me mësimdhënës për një punë të përbashkët, me një dashuri e vullnet të pakursyer duke zbuluar talentët dhe zbërthyer tek nxënësi edhe imtësitë më të vogla, për t’i bërë “Yll” dhe për t’i paraqitur e botuar në revistën shkollore “Yjet e detit”. Në revistën shkollore prezantohet puna e të gjitha grupeve dhe seksioneve shkollore, si atij letrar e recitues, sportiv, dramatik, të kulturës dhe artit figurativ etj.

Grupi dramatik i Shkollës, me ftesë të organizatorëve të Teatrit “Çedo Dragoviq” në Tivar, mori pjesë në Festivalin e Dytë Teatral të Fëmijëve të Malit të Zi, që u mbajt nga data 18-20 prill 2008, ku u prezantua me pjesën teatrale të Odhise Grillos. Kjo ishte hera e parë që një shkollë u prezantua me një pjesë në gjuhën shqipe. Koordinatore e shfaqjes ishte arsimtarja e gjuhës shqipe, Sahibe Hoxhiq, koreograf, Edin Kapllani, profesor i artit figurativ, ndërsa rolet i luajtën Ardian e Angjello Rudoviq, Angjella Gazivoda dhe Ajet Lukoviq.

Këtë vit, në programin festiv me rastin e Ditës së Shkollës grupi dramatik u prezantua për të parën herë në gjuhën malazeze, me pjesën dramatike të Jovan Sterija Popoviqit. Koordinatore e shfaqjes ishte profesoresha e gjuhës malazeze, Spasa Ashkrabiq, ndërsa rolet i luajtën Gjina e Gjovana Rudoviq dhe Bernard Elezoviq,

Revista shkollore “Yjet e detit” botohet për çdo vit me sukses falë donatorëve të ndryshëm nga Shtoji e Ulqini, prindërve të nxënësve, njëkohësisht anëtarë të Këshillit të Shkollës, si Fran Antoni, Rok Hoti, Anton Ivanoviq e shumë të tjerë. I rëndësishëm është donacioni i Ministrisë së Popujve Pakicë, ministrave të atëhershëm Gëzim Hajdinaga e Fuad Nimani, anëtarëve të Këshillit të Shkollës, sidomos e kryetarit Luigj Shkreli. Numri i parë i revistës “Yjet e detit” doli më 20 maj 2002. Deri tani janë botuar gjithsej 12 numra.

Sahibe Hoxha
(Autorja është kryeredaktore e revistës “Yjet e detit”)

Koha Javore