Në Shqipëri alarmi nga perimet e pjekura artificialisht! – Video

July 12, 2011   | Shtypi / Mediji

Prishtinë, 12 korrik – Në Shqipëri është dhënë alarmi për rrezikun që paraqesin produktet bimore të rritura artificialisht, ndërkohë që në Kosovë, si njëra nga importueset e mëdha të pemëve dhe perimeve, nuk është marrë asnjë masë kontrolli. Jo vetëm rritja e pemëve dhe perimeve, por edhe skuqja, sidomos e domates dhe shalqirit, është thënë se në Shqipëri po bëhet me stimulues hormonalë, me doza të palejueshme.Organet shtetërore në Kosovë nuk kanë asnjë informacion mbi pasojat që mund të shkaktojë konsumimi i produkteve të tilla, shkruan sot “Koha Ditore”. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës në Kosovë që ka për detyrë të bëjë kontrollimin e cilësisë dhe vetive ushqyese të secilit produkt me prejardhje bimore dhe shtazore që hyn në tregun e vendit, ia ka lënë “fajin” Ministrisë së Bujqësisë për mosdhënien e dritës jeshile për t’u bërë kontroll produkteve bujqësore që vijnë nga Shqipëria. E në Ministrisë e Bujqësisë nuk kanë dhënë asnjë lloj përgjigjeje rreth lejimit të importimit të produkteve të dyshimta bujqësore nga Shqipëria. Zyrtarët e Departamentit për prodhimtarinë dhe mbrojtjen bimore në Ministrinë e Bujqësisë, këtë të hënë janë arsyetuar se kanë qenë të angazhuar me fushatën e korrje-shirjeve të grurit dhe se nuk kanë pasur kohë të bëjnë ndonjë analizë mbi importimin e produkteve bujqësore nga Shqipëria.

Në bazë të të dhënave nga Enti i Statistikave, Kosova importon produkte bujqësore nga vendet e jashtme me prejardhje bimore në masën prej 10 për qind të sasisë së përgjithshme të importeve. Sipas të njëjtave të dhëna, sasia e mallrave të importuara nga Shqipëria përbën rreth 5 për qind të sasisë së përgjithshme të mallit që importohet në Kosovë.

Bazuar në raportimet e medieve në Shqipëri, perimet trajtohen me hormone për të stimuluar në mënyrë artificiale pjekjen e parakohshme duke dëmtuar jo vetëm cilësinë. Ekspertët e atjeshëm të bujqësisë thonë se hormonet janë të ndaluara ose duhet të përdoren në mënyrë të kontrolluar, sepse, sipas tyre, ato përmbajnë edhe materie kancerogjene. E në anën tjetër, sistemi i prodhimit është tërësisht jashtë kontrollit të këtyre faktorëve. Sipas raportimeve, askush nuk i mbron konsumatorët nga të tilla fenomene që bëhen për të përfituar duke dëmtuar cilësinë. Tregtarët kanë ngritur shqetësimin kundër këtij fenomeni. Ata u kërkojnë strukturave përkatëse të kontrollojnë fermerët që nga farërat që ata i përdorin e deri te pesticidet apo dozat e përdorura në produktet për konsumatorin.

Tregjet e perimeve në Shqipëri janë të mbushura me produkte të cilat janë pjekur artificialisht me anë të spërkatjeve hormonale me pesticide helmuese, raportojnë mediet shqiptare.

Ndërkohë, as ekspertët bujqësorë në Kosovë që kanë për lëmi studimi fushën e perimeve, nuk kanë dhënë asnjë lloj përgjigje lidhur me cilësinë e produkteve bujqësore nga Shqipëria.

Të njëjtat dyshime për helmime të mundshme nga pesticidet e hedhura në perime nga bujqit shqiptarë janë ngritur edhe në vitin 2007. Sipas raportimeve të medieve, qysh para disa viteve, bujqit kanë nisur t’u thonë “lamtumirë” produkteve bujqësore pa pesticide, duke e zëvendësuar rritjen e tyre me anë të hormoneve të ndryshme kancerogjene.

KOHA NET

VIDEO E RRITJES TË PRODUKTEVE BUJQËSORE NE FRANC NE MYNYR ARTIFICIALE.

YouTube Preview Image