Në Ulqin mbahet tryezë e rrumbullakët rreth unifikimit të programeve dhe teksteve mësimore

July 12, 2011   | Kulturë / Kultura

Një Abetare për të gjithë shqiptarët
Pas takimeve të mbajtura në Shkup, Preshevë dhe Prishtinë, Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare organizoi të enjten në Ulqin tryezën e rrumbullakët me temë “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të programeve e teksteve mësimore në shkollat e trojeve Arbërore dhe në Diasporë”.
Të pranishmit i përshëndeti fillimisht dr.Nail Draga, në emër të Komisionit zonal të shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi e më pas dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror pranë Institutit.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, duke prezantuar çështjet kontestuese në plan-programet mësimore dhe tekstet shkollore. Paraqitja e fakteve për çështjet e tilla nga të gjithë mësimdhënësit dhe të pranishmit e tjerë krijoi mundësi të një debati konstruktiv. Në mënyrë të veçantë u theksua fakti se tekstet mësimore në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, përveç tekstit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë, të gjitha janë të përkthyera në shqip, ku ekzistojnë defekte tekstuale dhe konceptuale dhe si të tilla ato nuk janë të përshtatshme për nxënësit shqiptarë. Pra, nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me përkthimet apo deformimet sa i përket toponimeve, por kemi të bëjmë me aspektin e përmbajtjes programore sepse nuk ka të bëjë fare me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Nëse analizohen me kujdes këto tekste mësimore, në veçanti ka të bëjë me tekstin e historisë dhe të kulturës muzikore, si për shkollën fillore dhe të mesme, del qartë edhe ana subjektive e redaktorit të teksteve gjegjëse sepse nuk është angazhuar në përshtatshmërinë e tyre për të qenë të pranueshme për nxënësit shqiptarë.

Çështje në vete paraqesin programet mësimore për lëndët e identitetit kombëtar andaj ka ardhur koha që ato të jenë unike për të gjithë shqiptarët. Në veçanti u theksua fillimisht nevoja për hartimin e një Abetareje të përbashkët për të gjithë shqiptarët në hapësirën etnogjeografike në siujdhesën Ballkanike. Sepse në rrethana të reja shoqërore, kur flitet për integrimin në Bashkimin Evropian, shqiptarët duhet fillimisht të integrohen në mes veti dhe një integrim i tillë duhet të fillojë me tekstet shkollore dhe programet mësimore.

Andaj nuk ka asnjë arsye e logjikë që shqiptarët të mësojnë me pesë Abetare, kur një e tillë mund të shërbejë për të gjithë sepse shqiptarët kudo që jetojnë kanë një gjuhë të përbashkët. Për avancimin e kësaj çështjeje u theksua se duhet të nënshkruhet sa më parë memorandumi i marrëveshjes në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë me Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi, në mënyrë që këto çështje të trajtohen në mënyrë institucionale.

Po ashtu u theksua se për ndryshime pozitive në ketë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, ku duhet të përfshihen patjetër kuadrot shqiptarë në Mal të Zi në përgatitjen e programeve mësimore dhe teksteve shkollore, sidomos për lëndët e identitetit kombëtar. Lidhur me këto çështje, Instituti për Integrimin e Kulturës Shqiptare do të organizojë në muajin shtator në Tiranë një simpozium shkencor ndërkombëtar, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues shqiptarë nga Mali i Zi.

Kohapress