Skulptura të artistëve malazezë e shkodranë vepra në hapësira publike të Ulqinit

July 12, 2011   | Kulturë / Kultura

Shkodër, 11 korrik – Veprat e tetë skulptorëve nga Mali i Zi dhe dy nga Shkodra, që do t’i realizojnë gjatë Simpoziumit Ndërkufitar të Skulpturës, do të vendosen në hapësirat publike të qytetit të Shkodrës.
Ky aktivitet, që do të zgjasë 20 ditë, është fryt i një projekti të bashkisë së Shkodrës dhe të shoqatës artistike “Art Dulcimium” të Malit të Zi, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve Shkodër dhe me shkollën “Bosko Strugar” në Ulqin, raporton ATSH.

Në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti, drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër, Artan Draçini, tha se “projekti, i cili financohet nga bashkia e Shkodrës dhe Bashkimi Europian, në kuadër të programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, konsiston në organizimin e simpoziumit të skulpturës, që do të ketë dy faza.”

Sipas tij, në fazën e parë, që po organizohet në Shkodër, punimet e skulptorëve në fund të simpoziumit do të vendosen në hapësirat publike të qytetit të Shkodrës në bashkëpunim me zyrën e Urbanistikës pranë bashkisë së qytetit, ndërsa faza e dytë do të organizohet në Ulqin gjatë muajit shtator të këtij viti.

Artistët malazezë dhe shkodranë nisën sot punën e tyre në njërin prej shesheve pranë rrugës pedonale të Urës së Bunës dhe Liqenit të Shkodrës, duke pasur në sfond edhe kalanë e lashtë të Rozafës, që sipas tyre, i frymëzon edhe më tepër për krijimin e veprave.

Organizatorët bënë të ditur se qëndrimi prej 20 ditësh i skulptorëve në këtë shesh do të jetë një kohë e mjaftueshme për të përgatitur punimet e tyre, të cilët në përfundim do të vlerësohen nga komisioni artistik, specialistët e urbanistikës dhe autoritetet e bashkisë, duke përcaktuar edhe vendin se ku do të vendosen ato.

Koha Net

VIDEO NGA ZËRI I AMERIKËS

YouTube Preview Image