Sinan Hoxha dhe Seldi paguajnë 10 mijë euro për “Bjondinën”
Pas shumave të mëdha të fituara gjatë dimrit me klipin “Adrenalina”, Sinan Hoxha dhe Seldi Qalliu kanë menduar të realizojnë një tjetër klip së bashku me titull “Bjondina”. Klipi i realizuar me figurantë, modelët e zgjedhur të “Joni Peçi fashion group” dhe i realizuar nga “Max Production”, nis transmetimin sot në të gjitha kanalet muzikore.
Sinani i pyetur nga “Panorama” për veçantinë e duetit Sinani-Seldi në këtë klip u përgjigj se kësaj here kanë menduar t’u dedikojmë një këngë vajzave bionde, ndryshe nga kënga “Adrenalina”, që u dedikohej zeshkaneve. “Arsyeja”, thotë Sinani, cituar nga Panorama, “pasi në koncertet tona ishin të pranishme shumë fanse bionde, të cilat na e kërkuan në një farë mënyre një dedikim të tillë për to”.
Realizimi i klipit të këngës, me vargje të Armand Trebickës, ka kushtuar më shumë se 10 mijë euro, e njëjta shumë e shpenzuar nga këngëtarët për këngën “Adrenalina”. Për disa mund të tingëllojë e tepërt kjo shumë, ndërsa për Sinanin dhe Seldin është një shumë parash normale për një klip të realizuar me cilësi, nisur nga fakti se sezoni që kaloi ka qenë shumë i mbarë për ta, ndërsa nga menaxherët e lokaleve ku kanë kënduar janë deklaruar shuma të mëdha që u ofrohen atyre për koncerte.
Për këtë verë ata sapo kanë mbyllur një kontratë për 60 netë koncerte në gjithë plazhet e Shqipërisë dhe Diasporë, përveç Tiranës. Këngëtarët nuk kanë përmendur shifër konkrete se sa janë paguar për këto koncerte, por nuk e kanë fshehur që bëhet fjalë për një shumë marramendëse. Aq shumë është rritur popullariteti i tyre në duet sa në një tur koncertesh që dhanë në Australi u pritën nga qindra fansa, të cilët u kishin rezervuar dhe udhëtime me limuzina e pankarta në duar. Nuk dihet se sa do të pëlqehet kënga “Biondina” ndërkohë që kënga “Adrenalina” e publikuar në ndërrimin e viteve 2010-2011, vetëm në 2 muaj pasi u hodh në youtube arriti të regjistronte 3 milionë e 200 mijë klikime, duke u klasifikuar deri tani si kënga më e klikuar shqiptare në internet.
Panorama Plus





