Mirjeta : Më çmendën gazetat, po më “lidhin” me kushërinjtë
Vajza nga Londra që spikati në “Big Brother 4”, jo vetëm për pamjen e saj, trupin e gjatë elegant dhe format e bollshme, por edhe lidhjen aq të komentuar me Mariel Shehin, siç ju kemi bërë me dije edhe më parë, ka vendosur të provojë qëndrimin në Shqipëri. Ajo e ka shprehur disa herë se ka shumë pasion televizionin, madje në një intervistë për “standard” ka thënë se ka ndërmend një projekt televiziv, së bashku me Klodiana Stojkun (gjithashtu ish-banore e BB4), me të cilën lidhi një shoqëri të ngushtë.
Por ja që qëndrimi në Shqipëri e për më tepër në zonën bregdetare të Velipojës ku Mirjeta po pushon për momentin, nuk i ka shpëtuar paparacëve dhe thashethemeve. Vetëm pak ditë pasi ajo doli “topless” në shtypin rozë, ndërsa relaksohej pranë një pishine, këto ditë është shkruar se “Mirjeta e ka harruar Marielin dhe është hedhur në krahët e një mashkulli tjetër”.
Por cili është versioni i 24-vjeçares? “Më çmendën këto gazetat, janë duke shpifur gjëra të papara për mua, sa më kanë “lidhur” edhe me një kushëri, duke shkruar se jam edhe në Spanjë me të. Bobo, unë jam në Velipojë me familjen time, duke pushuar”, – ka shkruar ajo në profilin e saj në facebook, ku një nga miqtë i ka sugjeruar si opsionin më të mirë në të tilla raste që ajo të hedhë në gjyq gazetën përkatëse ku është shkruar ky thashethem.
“Çfarë gjyqi thua, ku ka rregulla këtu, thonë hajde bëj intervistë javën tjetër dhe thuaj versionin tënd. Të vjen inat sa të këqij janë”, – ka reaguar ajo për gazetarët, ndërkohë që fotoja e saj në shtyp me një mashkull misterioz, paska qenë me kushëririn e saj!
Gazeta Standard






