Beatrix Ramosaj: Po pres një ofertë të mirë!

July 22, 2011   | Lajmet / Vijesti

Intervistë me Beatrix Ramosaj, këngëtare

Intervistoi: Dafina Xhemaj

E re në moshë, por e suksesshme, Beatrix Ramosaj, këngëtare nga Tirana, synon të arrijë sukses ndërkombëtar. E, pra, këngëtarja e suksesshme, e mirënjohur me hitet e saj të muzikës së lehtë dhe e pëlqyer po aq edhe për muzikën në përgjithësi, Beatrix, flet për gazetën “Bota sot”, duke ndarë me ne një verë me punë, me koncerte të shpeshta dhe një befasi për publikun që patjetër do të ketë sukses.

“Bota sot”: A mund ta fillojmë bisedën për fëmijërinë tuaj?

Beatrix Ramosaj: Kam lindur ne Groningen të Holandes, më 9.6.1994, kam jetuar atje për rreth 3 vjet, kam jetuar edhe në Gjermani, 8 vitet e para të shkollës i kam kryer në Kosovë, aktualisht jetoj në Tiranë.

“Bota sot”: Cili do të jetë projekti muzikor i radhës? Edhe pse tani keni dalë me projekt të ri, kur mund të presin “fansat” tuaj edhe diçka tjetër?

Beatrix Ramosaj: Do t’ju befasoj te “Kënga Magjike 2011”.

“Bota sot”: Cila ka qenë trokitja juaj e parë në botën e artit?

Beatrix Ramosaj: Hera e parë e daljes sime në skenë ka qenë në moshën 6-vjeçare, në një shfaqje ku u paraqita si kërcimtare.

“Bota sot”: A mund të na tregoni diçka lidhur me karrierën tuaj, sa pritni që të arrini në karrierë meqë jeni e re ?

Beatrix Ramosaj: Brenda mundësive të mia kam arritur shumë deri më sot, por si gjithë të tjerët sigurisht që një sukses ndërkombëtar do të ishte madhështor.

“Bota sot”: Si e shihni të ardhmen tuaj?

Beatrix Ramosaj: Besoj dhe shpresoj të jetë e suksesshme dhe gjithmonë të ngjitem sa më lart në art.

“Bota sot”: Sa e kishit të vështirë ta gjeni vetën në tregun muzikor, që ju mundësua pas hapjes së dyerve?

Beatrix Ramosaj: Sigurisht që ka qenë e vështirë, por me ndihmën e mamit më është dukur fare e lehtë.

“Bota sot”: Është përfolur mjaft shpesh për mundësinë e bashkëpunimit me këngëtarë të tjerë nga ana juaj. Sa e preferoni bashkëpunimin dhe a mund të presim në të ardhmen e afërt diçka të tillë?

Beatrix Ramosaj: Përgjithësisht synimi im është që të arrij gjithçka vetë, por një bashkëpunim me një këngëtar-e të famshëm dhe të talentuar do të ishte DIÇKA.

“Bota sot”: Sa keni pasur përkrahjen mediale, qoftë në transmetim të video-klipeve tuaja, po ashtu me intervista dhe ftesa për paraqitje të tjera publike ?

Beatrix Ramosaj: I falënderoj shumë mediet dhe televizionet që më kanë përkrahur më shumë nga ç’e prisja. Ftesa kam pasur goxha, madje me e fundit është në Mal të Zi në, datë 23 e 24 korrik në “Club Ibiza”. Ju mirëpres.

“Bota sot”: A mund të na tregoni mënyrën tuaj aq të suksesshme që keni përdorur të futeni edhe në tregun muzikor në Kosovë?

Beatrix Ramosaj: Miqësia e mirë me artistët në Kosovë më ka bërë kaq të suksesshme, siç e thoni edhe ju. Ç’është e vërteta nuk kam qenë e pranishme në publikun kosovar, pasi kam qenë shumë e angazhuar me arsimimin tim, por në të ardhmen do të mundohem t’u përgjigjem të gjitha ftesave nga shteti ynë i Kosovës.

“Bota sot”: Si e shihni vetën në të ardhmen, si këngëtare apo diçka tjetër?

Beatrix Ramosaj: Gjithmonë kam dashur të bëhem artiste në kuptimin e plotë të fjalës, pra të kem bazament dhe për aktrim, për regji, për muzikë dhe për kërcim. Por veten ende e shoh si këngëtare e muzikës klasike dhe e muzikës së lehtë.

“Bota sot”: Çfarë do të shtoni për fund, diçka që ndoshta pa dashje harruam t’ju pyesim?

Beatrix Ramosaj: Kam dëshirë të ndaj me ju një sekret të vogël. Bëhet fjalë për vëllanë tim, Albanin, i cili gjithashtu është i talentuar në botën e artit. Do t’ju befasojmë me një duet së shpejti, pasi po bëj gjithçka për ta ndihmuar në angazhimet e arsimimit muzikor. Ju falënderoj për intervistën dhe të gjithë juve qe më keni kushtuar vëmendje. `Love Beatrix!

YouTube Preview Image