Panairi i Librit në Ulqin një vend ku afirmohet libri dhe bashkohen njerëzit

July 30, 2011   | Kulturë / Kultura

Ministri Krasniqi në Panairin e Librit në Ulqin

Me ftesë të kryetarit të Ulqinit, z.Gëzim Hajdinaga, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, z. Memli Krasniqi ka marrë pjesë të hënën në hapjen e Panairit të Librit në Ulqin. Në këtë eveniment kulturor në qytetin bregdetar, të pranishëm kanë qenë edhe Ministri i Pakicave Kombëtare në Mal të Zi, z. Ferhat Dinosha, Zv.Ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, znj. Suzana Turku, deputetë nga Mali i Zi, Shqipëria, studiues, shkrimtarë, botues, etj. Ministri Krasniqi gjatë fjalës së tij në hapje të Panairit vlerësoi se kjo ngjarje përben shumë më shumë se sa një aktivitet kulturor.

“Panairi i Librit në qytetin e bukur të Ulqinit, është një dite e cila, brenda vetes, tejkalon një moment apo një aktivitet simbolik kalendarik të radhës. Është një ngjarje kulturore e cila i përbashkon, në një mënyrë apo tjetrën, shkrimtarin me lexuesit, librin dhe lexuesin, njerëzit e kulturës e të dijës, por edhe politikanët, edhe botuesit, edhe pedagogët dhe shoqërinë civile, edhe turistët e këtij qyteti të bukur bregdetar, duke i bërë të gjithë të mendojmë për mënyrat përmes të cilave mund ta bëjmë afirmimin e rolit të librit në shoqëritë tona”, ka thënë ministri. Ai shtoi se MKRS ka në prioritet përkrahjen e botimit të librit dhe të promovimit të letërsisë mes popujve. Ministri Krasniqi ka theksuar se po ashtu se ministria që ai drejton është mjaftë e angazhuar, sidomos në këto ditë, që në Kosovë të respektohet e drejta e autorit, pasi sipas tij pa të nuk do të ketë një sistem vlerash të mirëfillta.

Në organizime të tilla, tha ministri, populli kujton gjeneratat e mëhershme që kanë dhënë shumë kontribut në këtë drejtim.

“Ndaj dhe ky panair, ndonjëherë shpërthen edhe jashtë kornizave të një ngjarjeje kulturore ku me respektin më të madh, brenda dhe jashtë një simbolike mund të ndalojmë për një ditë, të paktën, që t’i kujtojmë të gjithë ata autorë, shqiptarë apo edhe të huaj të cilët i kontribuuan dijes së popullit tonë dhe të popujve në mbarë botën për të dalë nga errësira e mendjes, e në veçanti ata pionier të letërsisë shqiptare të cilët përmes librit na bënë të mburremi me veten tonë, me gjuhën tonë, si një thesar dhe pasuri jona dhe e gjithë botës”, tha ministri.

Në ndërkohë ministri Krasniqi ka pasur edhe një takim të përbashkët me kryetarin e Ulqinit, z. Hajdinaga, zv.ministren Turku dhe ministrin Dinosha, me të cilët ka biseduar për shkëmbimet kulturore që duhet të ndodhin në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.. Ministri Krasniqi në këtë takim ofroi bashkëpunimin e plotë, për organizime të përbashkëta kulturore, me qëllim të krijimit të vlerave, shkëmbimeve kulturore dhe promovimit të kulturës së popujve të Ballkanit.

BOTA SOT