Skena verore e Ulqinit hapet me balet klasik
Ulqin, 3 gusht – Para një auditoriumi të madh, vendorë e turistë, në mbrëmjen e së hënës në Kalanë 2500-vjeçare, nisi festivali kulturor tradicional “Skena verore”. Balerinëve nga Tirana, me shfaqjen e tyre u takoi të shkelnin të parët skenën e vendosur në Kala. Në koreografi të Suzana Frashërit ata sollën një shfaqje të baletit klasik. Më pas skena takoi ansamblin vendor “Grupi i burrave” që solli këngë ulqinake. Edicioni i 24-t do të zgjasë 25 ditë, dhe gjatë kësaj kohe në “Skenën verore” të Ulqinit do të ngjiten artistë nga Kosova, Shqipëria, Ukraina etj. Akademia e Arteve nga Tirana do të prezantohet me komedinë “Duke pritur të hënën”, Teatri AKT nga Prishtina me dramën “Oficiri im i vogël”, Çun Lajçi me monodramën “Këngët e Ali Binakut”, Teatri i Qytetit të Prizrenit me mbrëmjen poetike “Iken duke ardhur”, por në këtë skenë do të ngjiten edhe ansamble teatrore nga qytete të ndryshme të Malit të Zi. “Ndonëse edhe Ulqinin, sikundër edhe mjediset e tjera, e ka përfshirë kriza financiare, ne në asnjë mënyrë nuk kemi hequr dorë nga organizimi i festivalit ‘Skena verore’, sepse është simbol i këtij qyteti të lashtë”, ka thënë kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, me rastin e hapjes.
Mbrëmja letrare multikulturore “Poetika”, karvani me artin krijues të femrës, të organizuar nga OJQ “Harmonia” e Ulqinit, do të jetë po ashtu në repertorin e “Skenës verore”.
KOHA NET





