Taksat ekologjoke për Mal të Zi – kosovarët të paknaqur

August 6, 2011   | Shtypi / Mediji

Shtetasit e Kosovës vazhdojnë të ndëshkohen duke paguar sigurime kufi tare të “majme” nëpër vendkalimet kufi tare me Malin e Zi dhe taksa tjera shtesë ekologjike, derisa një masë e tillë nuk vlen edhe për veturat e qytetarëve të shtetit malazias, të cilët hyjnë në Kosovë.

Mirëpo, autoritetet kosovare thonë se në momentin e implementimit të konkulzave të arritura në mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë do të aplikohet edhe masa e reciprocitetit me Malin e Zi sa u përket taksave kufitare.

Kosova ndonëse nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, por bashkatdhetarët kosovarë që vozisin vetura me targa të huaja detyrohen që në kufi rin e Kosovës të paguajnë një policë sigurimi në vlerë prej 50 eurosh vetëm për dy javë të qëndrimit, i cili detyrim nuk vlen edhe për veturat me targa të Malit të Zi dhe të Serbisë.

Derisa qytetarët nga Kosova që vozisin automjetet me tabela “RKS” janë të obliguar që në momentin që shkelin tokën e shtetit malazias të paguajnë sigurimin kufitar në vlerë prej 15 eurosh vetëm për 10 ditë qëndrimi dhe një taksë tjetër shtesë ekologjike në vlerë prej 10 eurosh.

Ata ankohen se ky detyrim i pagesës së taksave në njëfarë forme është “plaçkitje” për qytetarët.

“Këto pagesa nuk mund t’i komentoj ndryshe përveç se një plaçkitje dhe padrejtësi. Kjo masë ose duhet të hiqet edhe për shtetasit e Kosovës, ose e njëjta të aplikohet edhe për veturat e shtetit malazias që hyjnë në Kosovë. Pra, të ndodhë reciprociteti”, ka thënë qytetari nga Prishtina, Visar Rexhepi.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se për këtë çështje janë duke u zhvilluar diskutime me Malin e Zi, derisa grupet punuese t’i përcaktojnë modalitetet.

“Me shtetin malazias do të shkohet me aplikimin e masës së reciprocitetit, ose do të ndodhin marrëveshje sikurse kanë ndodhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ka thënë ai.

Sipas Rexhepit, në momentin kur do të fillojë implementimi i konkuluzave të arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi që Mali i Zi është pjesë e Kartonit të Gjelbër të Serbisë, atëherë do të vlejë masa e reciprocitetit të taksave për qytetarët e të dy shteteve.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Ilir Prapashtica, ka thënë se Kosova ka marrëdhënie të mira me rajonin me disa tregje sigurimesh. Ai ka rikujtuar se me tregun e shtetit shqiptar dhe atë të Maqedonisë që nga viti 2003 janë bërë marrëveshjet e para të mirëkuptimit.

“Fillimisht ka qenë që veturat që vijnë nga këto dy vende të futeshin në Kosovë me karton të gjelbër, ndërsa ne do të shkonim në këto dy vende me një policë që quhet Kosova TPL plus. Por, nga viti 2006 e këndej, kjo barrierë është hequr me Shqipërinë, ndërsa me Maqedoninë ekziston ende e njëjta marrëveshje. Ndërkaq, lidhur me automjetet që hyjnë nga Serbia dhe Mali i Zi kemi bërë përpjekje disa herë edhe në kohën e UNMIK-ut, po edhe tani që të gjendet një zgjidhje. Por, kjo ka të bëjë më shumë me faktorin politik dhe kjo është një çështje që për momentin është e pazgjidhur, sepse Kosova edhe në këtë kuptim është një rast i veçantë”, ka thënë Prapashtica.

Derisa shteti fqinjë, Mali i Zi vazhdon të përfitojë dhe të mbushë arkën e buxhetit me taksat që paguajnë qytetarët e Kosovës nëpër vendkalimet kufi tare, në anën tjetër shteti i Kosovës vazhdon të humbasë miliona euro për mosaplikimin e të njëjtës masë për veturat e qytetarëve të Malit të Zi.

ZËRI