Simon Shkreli: Nga viti në vit, shqiptarë më pak në Mal të Zi

August 7, 2011   | Shtypi / Mediji

Shqiptarë në Mal të Zi ka më pak se më 2003, këtë e pohon edhe regjistrimi i fundit i popullsisë në Republikën e Malit të Zi, i publikuar ditët e fundit.

Shqiptarët në Mal të Zi gjatë gjithë kësaj periudhe transitore kanë qenë thuajse të harruar nga zhvillimet e fundit politike, edhe pse kanë qenë faktor stabiliteti dhe përcaktues në fatin e Malit të Zi.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi është edhe treguesi kryesor se sa mirë jetojnë shqiptarët në këtë vend. Në regjistrimet e fundit nga viti 1991 e këndej, në territorin e Malit të Zi ka një numër vazhdimisht në rënie të shqiptarëve. Në vitin 1991 ishin 6.57% shqiptarë, në vitin 2003 ishin 5.03% dhe tani së fundmi numri ka rënë në 4.91%. Një tregues i cili jep alarmin se me këtë trend në rritje të rënies së numrit të shqiptarëve në Mal të Zi, në një të ardhme të afërt mund të përballemi me spastrim total të trevave shqiptare. Qeveria e Malit të Zi, përkundër marrëdhënieve të mira që ka me qeverinë shqiptare dhe mbështetjen që i garantohet nga zgjedhësit shqiptarë në Mal të Zi, nuk është se ka ndërmarrë politika favorizuese për këtë popullsi.

Në qytetin bregdetar të Ulqinit, ku është edhe numri më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi, janë në total 19.921 banorë nga të cilët 14.076 shqiptarë ose 70,66%, po ta krahasojmë me vitin 1991 kur 85% e popullsisë së Ulqinit ishin shqiptarë.

Ky tregues është një kambanë që po bie për gjithë faktorët se popullsia shqiptare në Mal të Zi është e rrezikuar nga asimilimi dhe braktisja e trevave të tyre.

Diplomacia shqiptare në këto 20 vite transicioni ka dështuar në marrjen e një roli dominues të përfaqësimit të shqiptarëve dhe interesave të tyre. Trevat etnike shqiptare në Mal të Zi janë më të pasurat në gjithë territorin, por administrimi i tyre nga ana e vendasve është shumë i vogël, për të mos thënë minimal. Qeveria malazeze gjithë këto vite ka përdorur votën e shqiptarëve për të qëndruar në pushtet, votë kjo e cila në referendumin e 21 majit të 2006 i riktheu shtetësinë pas 100 viteve.

Strategjia e ndjekur për moslejimin e shfrytëzimit të pasurive të shqiptarëve në këtë vend, siç është privatizimi i cili asnjëherë nuk u zbatua siç duhet, por njohu një proces negativ në zhvillimin e zonave shqiptare, madje edhe shkatërrimin total të ndërmarrjeve që kanë qenë motori zhvillimor i Ulqinit, çuan në largimin e shqiptarëve drejt vendeve perëndimore. E ndodhur përballë presionit ekonomik dhe politik të fillimit të viteve ’90 në trevat e ish-Jugosllavisë, popullsia shqiptare u detyrua të gjejë mundësi tjera mbijetese, një ndër to ishte emigracioni.

Nëse deri në vitin 1990 nga Mali i Zi në emigrim jetonin rreth 15.000 shqiptarë, sot numri i tyre është rreth 40.000. Qeveria shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë hapa përpara në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës që bashkon shqiptarët në dy anët e kufirit, por kaq nuk mjaftuan.

Statistikat tregojnë se edhe punësimi i shqiptarëve në sektorët shtetërorë është shumë i vogël në krahasim me numrin e popullsisë. Nëse Plava e Gucia janë asimiluar thuajse plotësisht e po kështu edhe janë spastruar etnikisht, duke i lënë hapësirë edhe mundësisë së kolonizimit të këtyre trevave, e njëjta gjë mund të ndodhë me zonat tjera siç janë territoret e Tivarit, si Shestani dhe Kraja, apo edhe pjesë të ndryshme të Tuzit të Malësisë.

Në Ulqin në këtë 10-vjetshin e fundit janë privatizuar të gjitha ndërmarrjet shtetërore, nisur nga ky privatizim punëtorët shqiptarë të cilët sot do duhej të ishin të punësuar, janë nxjerrë në asistencë pasi aftësitë e tyre u zëvendësuan me mbylljen e ndërmarrjeve. Hoteli “Otrant” në procesin e privatizimit kaloi nga një pronar i një kompanie ruse, në një kompani spanjolle. Pronari i ri për më shumë se dy vite e ka lënë të mbyllur, duke lënë në mëshirën e sektorëve social mbi 150 punonjës, të gjithë shqiptarë. Ndërsa, ndërmarrja më e madhe e Ulqinit, kriporja “Bajo Sekuliq”, është shkatërruar fare, dhe nga ky shkatërrim 2.300 punonjësit e saj u flakën në rrugë.

Këta janë disa nga treguesit se shqiptarët në Mal të Zi, përveç rolit politike në të mirë të shtetformimit malazez, nuk kanë luajtur asnjë rol tjetër. Në rezultatin e fundit të nxjerrë nga Instituti i Statistikave në Mal të Zi, “Monstat”, rënia e numrit të shqiptarëve tregohet edhe me mënyrën e jetesës dhe në pamundësinë për të mbijetuar.

Ditët e fundit edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi, i ngritur nga qeveria malazeze me qëllim pjesëmarrjen në vendimmarrje për projektet e ndryshme në të mirë të shqiptarëve, ka reaguar në lidhje me mungesën e transparencës dhe konsultimit të këtij Këshilli mbi programet mësimore në gjuhën shqipe. Reagimi i këtij këshilli vjen konkretisht për lëndën e historisë, ku shqiptarët në Mal të Zi informohen për historinë e gjithë botës, ndërsa sa i përket historisë kombëtare nuk marrin asnjë dije. Po kështu është kërkuar një Abetare e përbashkët për të gjithë shqiptarët, e ndërsa theksi kryesor është vënë tek përkthimet e teksteve që janë shumë të dobëta.

Mali i Zi në trajtimin politik dhe ekonomik ndaj shqiptarëve duket se po arrin realizimin e qëllimeve të veta, kontrollimi i gjithë pasurive të popullit shqiptar, krijimi i një zinxhiri varësie të kësaj popullate e cila sa herë që duhet të zgjedhë është e detyruar të zgjedhë të keqen më të vogël.

Tirana zyrtare gjatë gjithë kësaj periudhe është treguar shumë indiferente ndaj problemeve të popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Lënia e plavizimit të trevave shqiptare në Mal të Zi është e pafalshme për gjithë sferën politike shqiptare, e cila ka treguar në këto 20 vite pluralizëm që në momente kyç është shumë aktive dhe e vendosur.

Nuk mjafton që për hir të benefiteve ndërkombëtare në politikën rajonale të tregohesh inferior dhe të lejosh që një pjesë e mirë e popullit tënd të vuajë çdo ditë varfërinë, edhe pse është shumë i pasur, të vuajë diskriminimin deri në racizëm dhe rrezikun permanent nga asimilimi dhe kolonizimi.

Statistikat e 2011 janë këto:

Në Malin e Zi jetojnë 625.266 banorë, prej të cilëve 44,98 % malazezë, 28,73 % serbë, 8.65 boshnjakë, 4.91 shqiptarë, 3.31 myslimanë dhe 0.97 % kroatë.

42.88 % e shtetasve të Malit të Zi flasin gjuhën serbe, 36.97 % atë malazeze dhe 5,27 % gjuhën shqipe.

Në komunat ku jetojnë shqiptarët situata është si më poshtë:

– Në Ulqin janë gjithsej 19.921 banorë nga të cilët 14.076 shqiptarë apo 70,66%.

– Në Podgoricë, konkretisht në Tuz me rrethina, janë gjithsej 18.5937 banorë nga të cilët 9.538 janë shqiptarë apo 5,13%.

– Në Plavë 13.108 banorë prej të cilëve 2.475 janë shqiptarë apo 18,88%.

– Në Tivar 42.048 banorë prej të cilëve 2.515 janë shqiptarë apo 5,98%.

– Në Rozhajë 22.964 banorë prej të cilëve 1.158 janë shqiptarë apo 5,04%.

ZËRI