Hajdinaga edhe një mandat në krye të Ulqinit

August 15, 2011   | Lajmet / Vijesti, Politika

Ulqin, 15 gusht – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, funksionar i lartë i Unionit Demokratik të Shqiptarëve /UDSH/, që në vitin 2006 është në këtë post, ndodhet para mandatit të ri, tashmë të konfirmuar në partinë të cilës i takon, por edhe në selitë e partnerëve të koalicionit që ushtron pushtetin lokal në Ulqin, njofton KosovaLive.

Nënkryetari dhe deputeti i UDSH-së, Mehmet Zenka, ka deklaruar se Hajdinaga pa asnjë mëdyshje do të jetë edhe një mandat kryetar i Komunës së Ulqinit.

“Fundja, kjo është definuar me marrëveshjen e bashkëqeverisjes, Partisë Demokratike të Socialistëve /PDS/ i takon vendi i shefit të Parlamentit, ndërsa UDSH-së funksioni i të parit të Ulqinit”, ka thënë Zenka. Ndërkaq, i pyetur se si i komenton rezultatet e kabinetit të Hajdinagës, meqë projektet e mëdha është duke i realizuar qeveria nga buxheti shtetëror, e jo Komuna nga arka e vet, Zenka shton se “nuk është keq as kjo.”

Shefi i socialistëve në Ulqin edhe kryeparlamentari i kësaj komune, Luigj Shkreli, deklaron se këshilltarët e kësaj partie do të përkrahin rizgjedhjen e Hajdinagës.

Karshi tyre, nënkryetari i Forcës së Re Demokratike, kryetar i Klubit të këshilltarëve të kësaj partie, Xhaudet Cakuli, mendon se për shkak të rezultateve katastrofale në mandatin e kaluar, Hajdinaga do të duhej të tërhiqej nga kreu i Komunës së Ulqinit.   “Hajdinaga, i cili tash pesë vjet është kryetar i Komunës së Ulqinit, nuk ka arritur të realizojë asgjë të rëndësishme”, mendon Cakuli.

Edhe klubi i partive proserbe ka paralajmëruar se nuk do të përkrah rizgjedhjen e Hajdinagës, sepse nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura.

Mbledhja e parlamentit lokal duhet të mbahet fundjavën e ardhme për të rizgjedhur Gëzim Hajdinagën edhe në një mandat.

KOHA NET

14