Hajdinaga i zhgënjyer me zhvillimit politike në Ulqin
Ulqin, 17 gusht – Kryetari aktual i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, deklaroi se është i zhgënjyer me zhvillimet në skenën politike të Ulqinit. Ai ka thënë se përçarjet që kanë ndodhur në degën e Unionit Demokratik të Shqiptarëve për Anën e Malit nuk kanë asnjë lidhje me të dhe se ata që mendojnë ndryshe, nuk kanë të drejtë.
Sipas tij, rizgjedhja në postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit ka qenë e dakorduar dhe se ka pasur përkrahjen edhe të atyre të cilët sot janë kundër tij, raporton KosovaLive.
“Kreu i degës së UDSH për Anë të Malit, /Fatmir Gjeka- Ksl/ ka dashur që nëpërmjet meje të sigurojë vendin e kryetarit të partisë, e kjo nuk është korrekte. Nuk është kjo në traditën e anamalasve që të luajnë këtë mashtrim”,- nënvizon Hajdinaga, duke shtuar se UDSH nuk ka plasur për shkakun e tij, por disa njerëzve u është shtuar oreksi që të bëhen kryetar partie.
Hajdinaga konsideron se ka mbështetje në Anë të Malit, duke shpresuar se njerëzit që qëndrojnë pas ndarjes së degës së UDSH në Anë të Malit, do të binden se kanë gabuar.
Sipas kryetarit aktual të Komunës së Ulqinit, ata me veti kanë katër këshilltarë dhe se janë vetëm një pjesë e degës së UDSH për Anë të Malit, nuk kanë fuqi për të marrë votuesit tanë.
“Kjo është zona ku kam marrë më së shumti vota. Anën e Malit e pret një zhvillim i hovshëm edhe perspektive e mirë ”, – është shprehur për media Hajdinaga.
KOHA NET





