Fatmir Gjeka – Deklarate per shtyp

August 20, 2011   | Lajmet / Vijesti, Opinione

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Kryesia e ish Degës së UDSH-së në Anë të Malit e ndien të nevojshme të sqarojë opinionin lidhur me deklaratat dhe artikujt e shumtë të tre-katër ditëve të fundit, që në shenjestër kanë aktin e kësaj dege. Autorët e tyre edhe vetë janë të vetëdijshëm që akti i ndërmarrë nga Kryesia e Degës së Anës së Malit ka qenë i pritur dhe i imponuar, por tash tentojnë që para opinionit të paraqiten si “engjuj”, kurse neve të na kryqëzojnë si djaj.

Nëse grumbullimi i funksioneve dhe familjarizmi janë veti të engjëllit, atëherë vërtet ne nuk jemi engjuj, sepse nga Dega e Anës së Malit e UDSH–së nuk ka asnjë person që për vete ka grumbulluar disa funksione (shtetërore apo partiake), siç bën pala që na akuzon. Nga kjo Degë e UDSH-së nuk ka asnjë person që për të afërmit e vet ka siguruar apo rezervuar çfarëdo funksioni. Ne kemi qenë gjithmonë ata që për hir të paqes në parti kemi bërë kompromis, edhe atëherë kur ndoshta nuk është dashur të bëhet. Të gjitha këto, ata që na akuzojnë i dinë shumë mirë.

Ne nuk vuajmë për poste e as që kemi vuajtur ndonjëherë. Këtë e kemi dëshmuar edhe në koalicionin e ri, ku përkundër ofertave kemi qenë realistë në kërkesat tona. Ata që na akuzojnë për një gjë të tillë do të ishte më mirë ta kthejnë gishtin kah vetja.

Ata që na akuzojnë për tradhëti, më së paku që mund të bëjnë është të kërkojnë falje, sepse është shumë e rëndë të akuzosh dikë për tradhëti, aq më tepër neve që gjithmonë kemi qenë kooperativë dhe që asnjëherë nuk kemi devijuar as nga mbrojtja e interesave tona kombëtare, as kur ka qenë në pyetje çështja shtetërore e Malit të Zi. Të gjitha i dinë, por dëshirojnë të mashtrojnë dhe manipulojnë opinionin. Por, opinioni është i mirinformuar për të gjitha.

Duke u munduar të na akuzojnë për gjoja një grup që nuk përfaqëson traditën e Anës së Malit, ata në fakt shfaqin hapur paragjykimet e tyre ndaj kësaj  zone të njohur për virtyte morale, njerëzore, qytetare etj.

Përkrahja që kemi marrë nga anëtarët dhe simpatizantët tanë, por edhe nga qytetarët e tjerë, jo vetëm nga Ana e Malit, por edhe nga Ulqini, Kraja, Malësia dhe diaspora, na bën edhe më të vendosur në drejtësinë e vendimit tonë.  Ne i falënderojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe dashamirët e tjerë për këtë mbështetje duke i garantuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të ndjekim politikë parimore në interes të qytetarëve të Anës së Malit, Ulqinit dhe tërë shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjerë.

Së fundi, kjo ndarje politike nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona njerëzore me ish kolegët e partisë dhe ish partnerët tanë. Ata kanë qenë dhe do të jenë miqtë dhe shokët tanë edhe në të ardhmen pa marrë parasysh interesat tona politike.

 

Kryesia e ish Degës së UDSH-së në Anë të  Malit

                                                                        ____________________

                                                                                    Fatmir Gjeka

VIDEO TV IN

http://stream.rtvin.com/flv/17_08_post_ulcinj.flv
26