Gushti i çudirave nga Enver Mollabeqiri – Eno

August 22, 2011   | Shtypi / Mediji

Ditët e nxehta të gushtit, me plot diell përvëlues, sikur arritën shkallën e vlimit këto ditë. Siç dihet, erdhi deri te përçarja edhe tek Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Kjo nuk është e panjohur në politikë, e sidomos nuk është diçka e re për opinionin shqiptar në Mal të Zi.
Kanë ndodhur edhe më parë përçarje dhe shkëputje të tilla politike, si dhe formimi i subjekteve të reja nacionale. Kështu që kemi një situatë absurde kur në një territor mjaft të vogël dhe me numër të vogël të banorëve, kemi një sërë partish dhe listash shqiptare. Kjo medoemos shkakton huti tek elektorati dhe copëtim të trupit votues shqiptar.
Kjo nuk është mirë dhe janë më se të mjaftueshëm dy subjekte të mëdha shqiptare, të cilët do të ishin të fortë si për nga elektorati, ashtu edhe për nga idetë, qëllimet, si dhe koordinimi i ndërsjellë, sa i takon aksioneve dhe veprimeve politike.
Pa dyshim se copëtimi nuk shkon në favor dhe në interes të elektoratit shqiptar, por nëse kjo ka të bëjë me ndërgjegjësimin e qëllimeve, veprimeve dhe pritshmërisë së elektoratit, është e mirëseardhur dhe e mirëpritur.
Normalisht, siç e thashë edhe më parë, është optimale që për këtë rajon dhe për këtë popullsi relativisht të vogël, të jenë dy subjekte të fuqishme politike shqiptare. Çdo risi është e mirëpritur. Andaj edhe kjo risi në skenën politike të Ulqinit, edhe pse befasuese, është inkurajuese në aspektin e zhvillimeve të ardhshme politike, sidomos ekonomike, në komunën e Ulqinit.
Ky tekst është duke u shkruar (të martën mbrëma) në momentin kur janë dhënë deklaratat e para për mundësinë e formimit të shumicës së re parlamentare dhe për formimin e pushtetit të ri lokal, me subjekte të tjera politike, kur marrëveshja nuk është zyrtarizuar akoma. Por sidoqoftë, nëse ajo realizohet, nuk duhet shfrytëzuar në kahje degraduese, në energji negative dhe veprimi i saj politik nuk duhet shkuar kah revanshizmi i mundshëm politik apo për veprime të pahijshme në rrafshin personal, pasi që kjo nuk na ka hije as si popull, as si njerëz dhe nuk na ka karakterizuar kurrë. Nëse formohet shumica e re kuvendore, ajo duhet t’i drejtojë sytë kah elektorati, dëshirat dhe pritshmëritë e tij. Energjitë duhen shfrytëzuar për rimëkëmbjen ekonomike të komunës së Ulqinit, thithjen e investimeve të qëlluara dhe të shëndosha, të cilat do t’i japin gjallërinë e nevojshme ekonomisë së gjunjëzuar ulqinake dhe do të japin shpresë për punësime të reja, për angazhimin e kuadrove ambiciozë, inventivë dhe të palodhshëm, të cilët idetë dhe projektet do t’i realizonin në jetë dhe do të bënin përpjekje për ringjalljen e shpresës në këto vise dhe do ta  rikthenin Ulqinin në një prej qendrave më të mëdha turistike dhe në vendin që e meriton. Idetë dhe energjitë duhen shpenzuar në këtë drejtim si dhe në ruajtjen dhe avancimin e identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve. Kjo nuk arrihet pa ekonomi të qëndrueshme dhe të zhvilluar, e cila duhet të jetë shtysë e fuqishme për aksione politike në këtë drejtim. Kjo me siguri do të zgjojë shpresat tek të rinjtë, të cilët ardhmërinë e vet e shohin në mes të bashkëkombasve të vet dhe në vendin e vet, e jo në emigracion.
Sidoqoftë do të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Shpresojmë, gjithëherë në të mirë të Ulqinit, pasi që Ulqini dhe populli i tij e meritojnë këtë.

Koha Javore