Mali i Zi para kolapsit financiar

September 9, 2011   | Shtypi / Mediji

Podgoricë, 6 shtator – Borxhi i Malit të Zi ka arritur gati në një miliard e gjysmë euro, që është diçka më pak se gjysma e bruto prodhimit vendor (GDP).Më shumë së një miliard, që është një e treta e GDP-së, është borxh i jashtëm, ndërkohë që Qeveria ka tërhequr kredi të re nga Banka Botërore prej 59.1 milionë eurosh.

Këto të dhëna tregojnë për një trend të shpejtuar të rritjes së borxhit shtetëror, ndërkohë që edhe në vetë Ministrinë e Financave e pranojnë se pikërisht niveli i lartë i borxhit publik dhe rritja e vazhdueshme e tij janë faktorët kryesorë të rrezikut për ekonominë vendore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mali i Zi në fund të shtatorit të vitit të kaluar ka emetuar letrat e para me vlerë, me të cilat ka grumbulluar 200 milionë euro. Afati për zbutjen e këtij borxhi është pesë vjet, në ndërkohë gjatë viteve do të duhet të paguajë kamatën e cila në total arrin gati 80 milionë euro.

Kur i shtohen edhe transaksionet e tjera shpenzuese, shuma rritet edhe për disa miliona.

Në fillim të prillit Mali i Zi, përsëri, për shkak të borxhit të vjetër dhe arnimit të vrimave në buxhet, tregut ndërkombëtar i ka borxh edhe 180 milionë euro.

Paratë sërish janë huazuar për pesë vjet, ndërsa kamata do të shkojë mbi 65 milionë euro.

KOHA NET