11 SHTATORI – 10 VITE MË PAS
Para dhjetë viteve,me 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjetuan një ndër sulmet më barbare terroriste që njeh ndonjëherë historia e këtij vendi, me ç’rast humbën jetën rreth tre mijë njerëz të pafajshëm.Me plotë të drejtë është shkruar dhe folur shumë për këtë ngjarje tragjike të fillimit të shekullit 21.
Megjithate, ka diçka të veçantë dhe unike për sulmin e 11 shtatorit sa i përket diverzitetit të viktimave që pësuan në këtë ngjarje tragjike. Ata u takonin disa besimeve fetare si të besimit krishterë,ortodoks, mysliman, hebrejë, budistë, etj.Viktimat,gjithashtu ishin pjesëtarë të të gjitha racave njerëzore.Ata që humbën jetën me 11 shtator ishin qytetarë të mbi 60 vendeve të ndryshme të botës.
Prandaj mund të themi se sulmet e 11 shtatorit ishin sulme, jo vetëm ndaj popullit amerikan,por ishin sulme edhe ndaj secilit popull apo njeri i cili dëshiron të jetojë i lirë,të praktikojë besimin e vet, apo t’i takojë çfarë do race,pa dallim. Pra,sulmi i 11 shtatorit ishte sulm kundër çdo populli liridashës në botë.
Çdo sulm terrorist ndaj popullit amerikan, është sulm edhe ndaj popullit shqiptar
Me rastin e sulmit terrorist të 11 shtatorit, në New York-ut,humbën jetën edhe katër shqiptarë:Viktor Saraçini (pilot në një prej katër avionëve të rrëmbyer nga terroristët), Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj. Ky i fundit ishte vetëm 26 vjeç. Kjo ishte humbje e madhe,në rradhë të parë, për anëtarët e familjeve së tyre,por njëkohësisht ishte humbje edhe për komunitetin shqiptar në SHBA, si dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Por kjo nuk është e vetmja arsy se pse sulmi terrorist ndaj popullit amerikan është edhe sulm ndaj popullit shqiptar. SHBA janë aleati dhe miku i vertetë i shqiptarëve i cili n’a është gjetur pranë disa herë gjatë kohëve të vështira të historisë së popullit tonë. Prandaj, edhe shqiptarët, dhimjen e popullit amerikan duhen t’a ndijejnë si dhemjen e vet.
Mund të thuhet se 11 shtatori ndryshoj shumë çka , por ajo që nuk ndryshoj është vendosmëria e popullit amerikan që gjithnjë të ndjek dhe të vazhdojë rrugën e lirisë,demokracisë dhe jo vetëm për popullin e vet, por edhe për të gjithë ata popuj tjerë të botës, ku sfidohen apo cenohen vlerat të shenjta të shoqërisë amerikane por edhe të shoqërive të tjera demokratike në botë.
Në këtë përvjetor, kujtojmë bashkatdhetarët tanë që humbën jetën para dhjetë viteve , si dhe kujtojmë viktimat e tjera të aktit terrorist të 11 shtatorit si dhe akteve të tjera terroriste në mbarë globin tokësor.
E dhashtë zoti që asnjëherë të mos përsëriten akte të tilla urrejtjeje,por që dashuria,paqa, toleranca dhe mirëkuptimi të dominojë çdoherë në mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Xheladin Zeneli Shtator 2011
New York





