Mungesë e investimeve të huaja e kanë vendosur Malin e Zi në rrezik të krizës ekonomike

September 14, 2011   | Shtypi / Mediji

Ekonomia e Malit të Zi përballet me probleme të rënda

Ekonomia e Malit të Zi u rrit me një nivel prej 2% në gjysmën e parë të vitit, por ekspertët paralajmërojnë se vendi menjëherë duhet të frenojë marrjen borxh për të shmangur peshën shtypëse të një krize të borxhit.

“Jemi të shqetësuar në lidhje me ritmin e rritjes së borxhit publik … Ekonomitë më të fuqishme në BE kanë përjetuar probleme të mëdha për shkak të tij,” tha Guvernatori i Bankës Qendrore Radoje Zugiç.

Në shifrën prej 1,25 miliardë euro ose 45% të PBB-së, borxhi total i parashikuar i Malit të Zi është i dyti vetëm pas Shqipërisë në rajon. Borxhi publik u rrit shpejt pasi qeveria emetoi 380 milionë eurobonde në fund të vitit të kaluar, në mënyrë që të paguante pagat dhe pensionet. Me interesat, detyrimi i këtyre eurobondeve do të arrijë në 524 milionë euro kur të maturohen në vitin 2016.

Ndërkohë, qeveria mori dy hua shtesë nga Banka Botërore në vlerën e 59 milionë euro më herët këtë muaj.

Të dhëna nga Banka Qendrore tregojnë se veprimet e një në katër sipërmarrje janë bllokuar për shkak të paaftësisë së tyre për të paguar borxhet. Në qershor, 14 754 ndërmarrje — nga 55 602 — me një borxh të kombinuar prej 302 milionë eurosh, ishin të paafta për të funksionuar.

Po aq alarmuese janë të dhënat mbi borxhin privat. Nga 2 miliardë euro në hua të përgjithshme bankare — çereku ose 523 milionë euro — ka të ngjarë të mos paguhen.

Kryetari i Komitetit parlamentar për Ekonominë Aleksandar Damjanoviç paralajmëron se rritja e vazhdueshme e borxhit publik nuk ka përmirësuar rendimentin e ekonomisë ose standardin e jetesës.

“Fakti se borxhi kombëtar, i cili më 2006 ishte rreth 700 milionë euro, u rrit më shumë se dyfishi në pesë vjet, tregon se ekziston një politikë [në veprim], e cila mund ta shtyjë Malin e Zi drejt skllavërisë së borxhit. Ekziston një shqetësim i ligjshëm se po hyjmë në zonën e rrezikut të falimentimit shtetëror,” tha Damjanoviçi për SETimes.

Ekspertët pranojnë se për të shmangur një përkeqësim të gjendjes së borxhit, investimet e huaja — në vend të marrjes së borxheve — duhet të jenë motori i zhvillimit.

“Në Mal të Zi ekziston një stanjacion kur bëhet fjalë për investime të huaja të drejtpërdrejta. Gjatë shtatë muajve të parë, në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, investimet e huaja të drejtpërdrejta u ulën me 38%,” tha Zugiçi.

“Besojmë se turizmi i rriti sektorët e tjerë,” përfundoi ai. Ekspertët thonë se Mali i Zi ka nevojë për 300 milionë euro në investime të huaja çdo vit për të arritur një buxhet të qëndrueshëm.

Një nga anëtarët e Partisë Social-Demokratike (SDP) në pushtet këmbëngul që Mali i Zi të marrë masa urgjente, përfshirë një ligj të ri për të inkurajuar investitorët e huaj.

“Këto masa përfshijnë stimuj të taksave, financiarë e doganorë, të infrastrukturës e përdorimin falas të tokës,” tha Damir Shehoviçi i SDP-së për SETimes.

Sipas analistit Vasilije Kostiç, varësia e madhe e Malit të Zi prej importeve, deficiti i fondit të pensionet dhe shpenzimet për përfitime sociale, të shoqëruara me një administratë shtetërore të madhe, do të ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi qëndrueshmërinë e financave publike.

“Realiteti është se borxhi publik do të vazhdojë të rritet për shkak të ngadalësimit të rimëkëmbjes ekonomike botërore, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara evropiane, gjë që ndikon në zhvillimin e ekonomive të vogla si e jona,” tha Kostiçi për SETimes.

“Është e qartë se problemi i rritjes së borxhit është i ndërlikuar dhe shqetësues. Nuk duhet të harrojmë se besueshmëria e një shteti varet kryesisht në aftësinë e tij për të paguar borxhin, veçanërisht tani,” tha Kostiçi.

Nedjeljko Rudoviçi
SETimes.com