Klubi i Karatesë Ulqini fillon sezonin e dytë të garave – Video

September 15, 2011   | Sporti / Sport

Më 11 shtator 2011 Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë në Turneun ndërkombëtar të karatesë “Kupa e Gostivarit” në Gostivar, Maqedoni. Klubi i Karatesë “Ulqini” në këtë garë mori pjesë me gjashtë garues të cilët u kurorëzuan me 5 medalje: 2 të argjendta dhe 3 të bronzta.

Me medalje të argjendta u kurorëzuan Venesa Nuhi dhe Hantie Ibroçi, kurse me medalje të bronzta u kurorëzuan Izabella Ivanoviq, Edin Kraja dhe Antigona Rama.
Me këtë garë Klubi i Karatesë “Ulqini” filloi sezonin e dytë të garave të këtij viti. Ky ishte një turne mjaft i fortë për kah konkurrenca dhe në të morën pjesë rreth 500 garues nga Bosna, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe nga Maqedonija.

Nuk mund të themi që jemi të kënaqur me rezultatin e arritur, por pak a shumë ishte i pritur, sepse gjatë verës kemi pasur një pauzë mjaft të gjatë nga stërvitjet për shkak të sezonit turistik dhe të nxehtit të madh. Sidoqoftë, kjo garë është një përvojë më tepër dhe një test për të ardhmen ku na presin edhe shumë turne të fortë në vend dhe jashtë. Turneu në Maqedoni ishte në një nivel shumë të lartë si nga ana e organizimit, ashtu dhe nga ana e konkurrencës, – shprehen udhëheqësit e Klubit që ishin në këtë garë drejtori i marketingut Skender Tahiri dhe trajnerët Kujtim Sukaliqi dhe Anell Beganoviq.

Udhëheqësia e Klubit të karatesë “Ulqini” falënderon Lëvizjen Qytetare “Perspektiva”që e mundësoi pjesëmarrjen në turneun në Maqedoni.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”


YouTube Preview Image