SHASI: Gjurmë të civilizimit të lashtë

September 25, 2011   | Shoqëria / Društvo

Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (1)  

Prof. dr. Iljaz Rexha
Hyrje

Në bazë të këtij materiali të begatshëm onomastik që na ofrojnë regjistrat kadastralë osmanë për këtë rajon mund të studiohet historia gjeografike e vendbanimeve, lëvizjet dhe migrimet e kësaj popullsie prej një vendi në një vend tjetër. Ndërsa në bazë të të dhënave antroponimike dhe patronimike mund të studiohet struktura etnike, religjioze dhe pozita sociale e shoqërore e popullsisë. Njëkohësisht mund të hetohen dhe zbulohen gjurmët dhe vendet e monumenteve të kultit dhe të kulturës në përgjithësi, meqë në këto burime zakonisht përmenden kishat apo vendet e monumenteve të kulturës ku ato më herët kanë ekzistuar, nëse kanë qenë të përfshira në sistemin e timarit të spahinjëve osmanë që u janë nënshtruar sistemit fiskal të administratës osmane. Është i njohur fakti se hapësira gjeografike e Anës së Malit në përgjithësi, e sidomos vetë qyteti antik i Shasit me rrethinë në veçanti, deri në mesjetën e hershme, ishte i pasur me monumentet e kultit dhe me monumente të tjera kulturo-historike, jo vetëm për këtë trevë, por edhe më gjerë në Ballkan. Në të vërtetë, për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe strategjike, hapësira e Anës së Malit ka luajtur një rol mjaft me rëndësi në antikë dhe deri në mesjetën e hershme, sepse, gërmadhat që janë gjetur dhe zbulimet arkeologjike që janë bërë pjesërisht, tregojnë se në këtë hapësirë janë kryqëzuar disa kultura dhe shtresime të ndryshme gjuhësore, duke filluar prej asaj iliro – albane, romano – latine, greko – bizantine, veneto – italiane, otomane – turke dhe më vonë asaj sllave. Nga ajo kohë kanë mbetur vetëm gërmadhat e kështjellës së Shasit dhe muret e një katedraleje katolike deri në shekullin XIII, themelet e 10-11 kishëzave – kapelave të vogla katolike, tregu i mbuluar me dyqane dhe rrugica të ngushta të stilit dhe arkitekturës latino – romane, që janë zbuluar kohëve të fundit nga hulumtuesit dhe arkeologët e Cetinës, gjë që tregojnë se në lokalitetin e Qytetit të Vjetër të Shasit me rrethinë ka ekzistuar një civilizim i lashtë. Si duket, pjesa më e madhe e atyre monumenteve kulturo-historike kanë ekzistuar jashtë mureve të qytetit antik të Shasit, meqë në hapësirën e gjerë të tij hasen gjurmët e atyre monumenteve të kultit që janë ruajtur në emrat e toponimeve që sot i mbajnë fshatrat e Anës së Malit. Lidhur me këto monumente të kultit është krijuar edhe gojëdhëna se në Shas kanë ekzistuar 365 kisha, çka bie ndesh me logjikën e shëndoshë dhe realitetin shkencor, meqë kjo gojëdhënë s’ka mbështetje as në gjetjet arkeologjike, as në burimet e shkruara historike mesjetare. Me siguri një numër i konsiderueshëm i monumenteve të kultit ka ekzistuar në hapësirën mes Tivarit – Ulqinit – Shkodrës dhe Shasit dhe e tërë kjo hapësirë e gjerë lidhet sipas gojëdhënës popullore vetëm me hapësirën e qytetit antik dhe mesjetar të Shasit, që përfshinte një sipërfaqe relativisht të vogël – 3-4 ha tokë. Por gërmimet dhe gjetjet e reja arkeologjike nga ana e ekspertëve të kësaj lëmie do ta thonë fjalën e fundit për rëndësinë e Shasit të lashtë që ai ka si lokalitet arkeologjik, si monument i kultit dhe i trashëgimisë së kulturës materiale, historike dhe arkitektonike me vlera shumëdimensionale jo vetëm për hapësirën gjeografike të Anës së Malit, por edhe më gjerë, e sidomos për zhvillimin e turizmit bashkëkohor të kësaj ane. Në mungesë të materialeve epigrafike, mbishkrimeve arkaike nga koha antike, mesjeta e hershme dhe ajo e vonë për rajonin në fjalë, atëherë të dhënat onomastike në përgjithësi dhe ato toponomastike në veçanti, mund të shërbejnë si ndihmesë për të zbuluar disa elemente të monumenteve të kultit si edhe të atyre kulturo-historike, qofshin ato të sferës sakrale apo profane, e sidomos për të studiuar strukturën etnike dhe konfesionale të banorëve që kanë jetuar dhe jetojnë në këto hapësira gjeografike. Në vazhdim të këtij punimi do të prezentojmë materialin e dëshifruar dhe të përkthyer, siç e theksuam në fillim, duke sjellë të dhëna onomastike dhe demografike të cilat i kemi nxjerrë nga defterët osmanë të shekullit XVXVI, dhe që deri më tani nuk janë botuar për hapësirën e Anës së Malit.. 

KOHA  JAVORE
YouTube Preview Image