Dështon sërish tenderi për valorizimin e Valdanosit

September 27, 2011   | Ekonomia / Ekonomija

Mungesë interesimi e investitorëve 

Podgoricë – Tenderi për valorizimin e Gjirit të Valdanosit ka dështuar sërish pasi që në të nuk ka pasur të interesuar deri të hënën kur ka përfunduar afati për dorëzimin e ofertave, kanë njoftuar nga Qeveria e Malit të Zi, duke mos e komentuar këtë. Ndërkohë ndaj dështimit të tenderit ka reaguar Grupi i intelektualëve, ekologëve dhe aktivistëve joqeveritarë “Valdanos”. Ky grup i ka bërë thirrje qeverisë së Malit të Zi dhe institucioneve lokale që së bashku të përpiqen të gjejnë zgjidhjet më të mira për mbrojtjen dhe valorizimin e Gjirit të Valdanosit, në mënyrë që në të, të zhvillohet ekonomia ekologjike. Përfaqësuesit e këtij grupi vlerësojnë se dështimi edhe i një tenderi për dhënien me qira afatgjate dhe ekocidi shumëvjeçar ndaj Valdanosit kërkon që më në fund t’i qasemi gjetjes së zgjidhjes së qëndrueshme për mbrojtjen dhe valorizimin e tij. “Jemi të bindur se projekti i formimit të Qendrës Ekologjike Ndërkombëtare ‘Valdanos’ është modeli më i mirë për këtë”, kanë deklaruar ata.
Këshilli për Privatizim ka hapur më 21 qershor tenderin e ri për dhënien me qira me afat prej 30 vjetësh të kompleksit ushtarako-turistik të Valdanosit me mundësi të vazhdimit të kontratës. Tenderi i mëparshëm për dhënien me qira të Valdanosit ka dështuar në fund të muajit shkurt për shkak të pakënaqësisë së opinionit ndaj kompanisë fituese “Cubus Lux”. Tenderi për valorizimin e Valdanosit është hapur për të parën herë në dhjetor të vitit 2008.

Kohapress