Zonat e populluara nga shqiptarët pa plan urbanisitik Nga Cafo Boga

October 5, 2011   | Opinione

Quo vadis shqiptarët e Malit të Zi (11 )
Shqiptarët janë të punësuar shumë më pak sesa u takon në sektorin e drejtësisë, në sigurimin e brendshëm dhe një numër ministrish, nëse e krahasojmë këtë me përqindjen që ata zënë në popullsinë totale të vendit. Kjo është nje shkelje e normave ndërkombëtare dhe një shqetësim madhor për shqiptarët. Shqiptarët e kualifikuar punësohen kryesisht në institucionet informuese dhe arsimore brenda sektorit shqiptar, por nuk kanë asnjë shans që të bëhen gjykatës apo të vendosen në pozita të ngjashme me peshë nën administratën e sotme shtetërore.
Megjithë vështirësitë ekonomike ekzistuese, Mali i Zi ka mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar ekonominë e tij, në veçanti turizmin dhe segmente të ekonomisë që lidhen me të. Qeveria malazeze ka arritur të tërheqë investues të huaj, duke përfshirë rusë, euro-perëndimorë madje edhe një kanadez i cili kohët e fundit bleu prona përgjatë bregut, me premtimin për të ndërtuar komplekse luksoze të klasit të lartë për yje të famshëm dhe individë shumë të pasur. Deri këtu gjithshka në rregull; mirëpo këto plane duhet të përfshijnë edhe zonat e populluara nga shqiptarët, të cilat përbëjnë pjesën më të bukur të bregdetit. Zonat rurale vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh për shqiptarët në Malin e Zi. Pa ndërhyrje qeveritare për t’i zhvilluar këto hapësira duke u krijuar mundësi ekonomike njerëzve që jetojnë aty, ritmet e larta të emigracionit do të vazhdojnë derisa këto zona të zbrazen tërësisht. Për fat të keq, kjo është bërë realitet në shumë fshatra shqiptare.
Zbatim i njëanshëm i ligjeve
Një numër ligjesh të rëndësishme kanë hyrë në fuqi në Malin e Zi, që në sipërfaqe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, mirëpo ose nuk zbatohen siç duhet ose anashkalohen nga statute apo ligje lokale të komunave. Dallimi mes asaj çfarë deklarohet ligjërisht nga ligji dhe asaj çfarë zbatohet në praktikë është e dukshme në çdo aspekt të jetës në Malin e Zi. Zbatimi i njëanshëm i ligjeve cënon këdo në Malin e Zi, por ata që e pësojnë më shumë prej kësaj janë shqiptarët. Për shembull, pas referendumit në të cilin shqiptarët kontribuan në mënyrë vendimtare, Gjykata Kushtetuese më 17 korrik 2007, hoqi dy paragrafë të rëndësishëm nga “Ligji për liritë dhe të drejtat e pakicave”, i cili mundësonte një përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi. Gjykata deklaroi se vendosja e një sistemi që garantonte përfaqësimin e grupeve të pakicës ishte jokushtetuese, sepse nenet binin ndesh me parimin e barazisë së sanksionuar nga Kushtetuta e Malit të Zi në vitin 1991. Qartësisht, duke pasur parasysh formulimin e tekstit të ri kushtetues të 2007-s, një sistem i vendeve të rezervuara nuk do të ishte më jokushtetues, mirëpo dispozitat e përfaqësimit politik të pakicave kombëtare nuk u rikthyen më.
Një tjetër shembull zbatimi të padrejtë të ligjit ka të bëjë me të ashtuquajturin ligj “Morsko Dobro” që do të thotë “të mirat detare”. Ligji synon të rregullojë zhvillimin e zonës bregdetare që është një gjë e mirë; por mund të argumentohet se nga ana tjetër ky është një mekanizëm antikushtetues, sepse lejon qeverinë qendrore të shfrytëzojë tokat komunale dhe private pa një dëmshpërblim të drejtë (në mos fare pa dëmshpërblim) për komunat. Në qytete të tjera përgjatë bregdetit malazez, zona bregdetare nën kontrollin e qeverisë ka një kufi prej vetëm gjashtë metrash, ndërsa në qytetin e Ulqinit, ku janë shumicë shqiptarët, kufiri zgjerohet deri në 2,5 kilometra brenda tokës. Për shkak të këtij ligji diskriminues, pjesët më të bukura të zonës bregdetare të Ulqinit (si Ada, Valdanosi, Plazhi i Gjatë dhe Lumi Buna) i janë shpronësuar komunës dhe janë shitur nga qeveria në formë qirash 99-vjeçare. Një diskriminim i ngjashëm është edhe në zbatimin e “Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi”, ku shqiptarëve në Tuz u mohohet e drejta që të rivendosin statusin e komunës së pavarur.
Abuzimi me ligjin është gjithashtu i dukshëm në procesin e privatizimit në të cilin autoritetet lokale pothuajse nuk janë përfshirë fare dhe të drejtat e tyre të pronësisë në thelb janë injoruar. Një shembull i këtij abuzimi të pushtetit dhe privilegjit nga qeveria është privatizimi i një fabrike prodhuese dhe I 500 hektarëve tokë, të cilat u shitën për 6 centë për metër katror një të afërmi të Gjukanoviçit, sipas të dhënave të punëtorëve të fabrikës dhe popullatës lokale. Pavarësisht nga fakti që zona përreth fabrikës është moçalore, me rëndësi të madhe për migrimin e zogjve europianë, pronari synon të ndërtojë aty shtëpi dhe kondominiume të shtrenjta, që do të shndërronin përbërjen ekologjike dhe demografike të zonës. Një numër hotelesh që tha se u privatizuan mbeten të rrënuara apo të shkatërruara dhe askush nuk e di se e kujt është përgjegjësia. Banorët lokalë kanë mbetur pa asnjë mundësi investimi, përveç privatizimit fillestar kur punëtorëve iu dhanë letra me vlerë që përfaqësonin pjesën e tyre në ndërmarrje, sipas formulave të aprovuara nga qeveria. Pas kësaj ndërmarrjet u keqadministruan qëllimisht duke i bërë fare të pavlefshme letrat e shpërndara. Pas kësaj, investues të informuar me lidhje qeveritare mundën t’i blenin ato për një vlerë qesharake. Diaspora paraqiti një numër propozimesh për tender mirëpo ato u hodhën poshtë praktikisht për një arsye apo për një tjetër.
Shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lirive civile
Në një shoqëri të përparuar, procesi juridik bazohet në vlerën demokratike sipas të cilës një person i akuzuar është i pafajshëm derisa të provohet si fajtor në gjyq, dhe jo fajtor derisa të provojë pafajësinë. Rasti i “Operacionit fluturimi i shqiponjave”, që përfshiu arrestimin e disa anëtarëve të një gjoja celule terroriste në Malësi, është një shembull që tregon se si Mali i Zi ka shkelur procesin gjyqësor duke lejuar median që të botojë dëshmi shtetërore kundër të akuzuarve përpara se të fillonte procesi gjyqësor në mënyrë që të ndikohej opinioni publik.
Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2006, në 9 shtator, Policia Speciale Malazeze dhe skuadra SWAT të armatosura deri në dhëmbë kapën 14 shqiptarë, duke përfshirë edhe tre të cilët kishin edhe nënshtetësi amerikane dhe që ishin në atë kohë me pushime, për një vizitë në vendlindje. Gjatë këtij aksioni, burrat dhe familjet e tyre, duke përfshirë edhe pleq gra e fëmijë u keqtrajtuan fizikisht nga policia. Të nesërmen qeveria lëshoi një deklaratë për shtyp duke thënë se një grup terrorist po përgatitej që të rrëzonte qeverinë. Për tre muaj me rradhë ata u mbajtën në burg, pa iu komunikuar ndonjë akuzë kriminale, ndonëse në mënyrë të vazhdueshme etiketoheshin në shtypin malazez si “terroristë”, pra duke iu dhunuar kështu të drejtën për t’u konsideruar të pafajshëm. Gjatë kësaj kohe, ata fyheshin, rriheshin për orë të tëra dhe detyroheshin që të qendronin në pozicione të caktuara për periudha të stërzgjatura kohe si dhe pa ushqim për ditë të tëra. Askush nuk e di se pse saktësisht ishin arrestuar dhe cila ishte arsyeja e qeverisë për kapjen e tyre.
Kur më në fund, qeveria malazeze paraqiti akuzën zyrtare, ata paditën të gjithë grupin për “planifikim të krimeve të terrorizmit dhe kryengritjes”, e megjithatë, qeveria nuk mundi të paraqiste as edhe një copë dëshmie domethënëse. Për më tepër nuk ishte e qartë se pse e kishte urdhëruar qeveria këtë aksion, madje edhe se cila degë e qeverisë kishte autorizuar arrestimet.
Disa besojnë se ky incident është fabrikuar për të thyer lidhjen mes diasporës shqiptaro-amerikane dhe komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Fuqia në rritje e kësaj lidhje është vënë re në përpjekjet e banorëve të Malësisë shqiptare për të rifituar statusin e komunës në Tuz, të anulluar nga qeveria malazeze në vitin 1957. Mirëpo, cilado që të ketë qenë arsyeja, aksioni ishte një veprim degradues nga ana e qeverisë malazeze. Veprime të kësaj natyre nuk janë në interes të vendit dhe dëmtojnë përpjekjet e atyre që vërtet punojnë për të ndërtuar një shtet multi-etnik, duke përfshirë edhe shumicën e popullsisë shqiptare. Për më tepër, kjo lloj mase mund të zgjojë armiqësi të mëtejshme mes shqiptarëve dhe malazezëve.
Vijon