Pse eshtë niveli i ulët i investimeve në Ulqin

October 8, 2011   | Ekonomia / Ekonomija

Niveli i ulët i investimeve në Ulqin mbi të gjitha është edhe rezultat/pasojë e një trashëgimie negative të dëmtimit të rënde të klimës se biznesit, për shkak të pengesave të konsiderueshme burokratike, korrupsionit tejet të përhapur nëpër institucione, mungesës së infrastrukturës energjetike e rrugore si dhe rreziqeve ekonomike e telasheve politike të vendit.
Nuk bënë pa u përmendur edhe qasja e gabuar për tërheqjen e investimeve të huaja apo promovimi aspak i mjaftueshëm dhe mungesa e një strategjie afatgjate si dhe mungesa e koordinimit të mirëfilltë midis përgjegjësve institucional të sektorëve të ndryshëm ekonomik vendor. Pse Shqipëria ka arritur të tërheqë shuma të konsideruara të kapitalit të huaj. Me fjalë të tjera ajo në vitin 2010 ka fluturuar apo sipas fjalorit sportiv ka thyer rekord personal. Në vitin 2010 Shqipëria pati 1.097 miliardë dollarë përderisa në 2009 pati 979 milionë dollarë investime të huaja. Për vitin e kaluar, Shqipëria ishte shembull jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për të tjerat vende të rajonit se si duhet të punohet në rritje të investimeve të huaja.
Çelësi i këtij rezultati ishte ndërtimi i një modeli tërheqës ekonomik, i bazuar mbi ngarkesën tatimore më të ulët në Evropë, me ngarkesën publike mbi sektorin privat më të ulët në Evropë, që bazohet mbi investime të mëdha dhe në eliminimin e burokracive të tepruara.

Si duhet të veproj Ulqini
Ndër shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mos ardhjen e investitorëve të huaj në Ulqin por edhe ikjen e disave prej tyre nga Ulqini, janë klima e papërshtatshme për investime; moszbatimi i ligjeve në fuqi; niveli i lartë i korrupsionit; ekonomia joformale… Po ashtu, rënia e vazhdueshme e investimeve të huaja në Mal të Zi është edhe pasojë e mungesës së politikave investuese, tregtare dhe fiskale.
Investimet e pakta të huaja që kanë ndodhur në Ulqin kryesisht janë përshkuar me një proces të gabueshëm të privatizimit të përcjellë me politikë të dëmshme në sektorin bankar dhe ato si të tilla natyrisht se nuk sollën ndonjë rezultat të kënaqshëm.
Mirëpo rezultate të mira nuk ka patur as në investimet nga biznesi I ndërmarrjeve ulqinake. Në Ulqin janë vlerësuar katër fusha rregulluese si: hapja e biznesit, marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave. Karakteristikë e përbashkët negative nga ky kënd është se për ta bërë një biznes funksional me dokumentacionin e nevojshëm duhet se paku një muaj kohë. Ndërkohë, qeveria aktuale e komunës së Ulqinit ka paralajmëruar një pako të re lehtësuese fiskale për një pjesë të sektorëve biznesor e paralel me këtë edhe masa shtesë në taksimin e qytetarëve/konsumatorëve.
Mirëpo lehtësimet tatimore nuk janë aktor i vetëm në tërheqjen e investitorëve të vërtetë të jashtëm. Beteja duhet të nis kundër imazhit për korrupsion.
Infrastruktura ligjore, energjetike e ajo rrugore janë faktorë të tjerë në të cilët vendi i ynë duhet që ende të bëjë dukshëm më shumë për të garantuar një ambient të mirë dhe të qëndrueshëm tërheqës biznesi për investitorët e jashtëm. Nëse ky trend negativ do të vazhdojë edhe më tutje, Ulqini do të vazhdojë të humbas një rast të madh ashtu siç e humbi edhe gjatë këtyre viteve të pasluftës, për të tërhequr investitorët e huaj (sidomos ata në sektorët prodhuese) të mos shfrytëzimit të faktit tejet të favorshëm të fuqisë së lirë punëtore.
Një pjesë të përvojës për të mirë – për të tërhequr investitorët e huaj – Ulqini, përkatësisht klasa udhëheqëse e saj, mund ta marrë tek Shqipëria e pse jo edhe nga vendet e tjera në rajon.

YouTube Preview Image