Shqiptarët bojkotojnë seancën e Parlamentit malazias

October 11, 2011   | Politika

Podgoricë, 11 tetor – Qeveria malazeze nuk e do që flamuri popullor në Mal të Zi, të jetë ai trengjyrësh, siç e ka propozuar blloku opozitar serb, i cili si kusht për të përkrahur ndryshimet kushtetuese, kërkon që të definohet edhe gjuha serbe, gjuhë zyrtare të të njëjtit status me atë malazeze, që shkollimi fillor i nxënësve serbë të jetë falas, zgjedhja e këshillit gjyqësor të bëhet me dy të tretat, njofton KosovaLive.

Por, deputetët e dy partive në pushtet, të Partisë Demokratike të Socialistëve /PDS/dhe të Partisë Socialdemokratike /PSD/ thonë se nuk do ta përkrahin atë propozim të opozitës në parlament.

Funksionari i lartë dhe deputeti i PDS, Miodrag Vukoviq deklaron se kolegët e partisë së tij nuk do ta votojnë këtë propozim të opozitës.

Propozimin e opozitës nuk do ta përkrahin as ligjvënësit e PSD, as ata të Partisë boshnjake.

Kuvendari i subjektit më të madh politik opozitar, Velizar Kalugjeroviq nga Partia Popullore Socialiste, i kërcënohet koalicionit qeveritar që ta miratojë këtë propozim edhe të “mos bëjë tregti politike”.

Sipas tij, nëse mazhoranca voton kundër, atëherë shihet qartë se nuk dëshiron demokratizim të mëtejmë të shtetit. Ligjvënësit shqiptarë nga partitë nacionale parlamentare opozitare nuk do të marrin pjesë në seancën e Parlamentit të Malit të Zi ditën e martë, ku në rendin e ditës është propozimi i opozitës proserbe për ndryshimin e flamurit malazias.

Shkaku është se si pozita edhe opozita kanë qëndrim të njëjtë kundër shqiptarëve, mbështeten Kodin zgjedhor, i cili shqiptarëve u ka mohuar të drejtat e arritura, po kundërshtojnë edhe themelimin e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz.

KOHA NET

2