Katër projekte do të përfundojnë deri në sezonin e ardhshëm në Ulqin

October 28, 2011   | Ekonomia / Ekonomija

Ulqin – Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për politikën ekonomike dhe sistemin financiar, Vujica Llazoviq, ka premtuar të premten gjatë vizitës së tij në Ulqin se deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik në Ulqin do të përfundojnë katër projekte të mëdha infrastrukturore. “Do të përfundojë ndërtimi i Urës së Port Milenës, ujësjellësi rajonal do të mbërrijë deri në Ulqin, do të fillojë të funksionojë deponia regjionale e cila është e rëndësishme jo vetëm për Ulqinin, por edhe për Tivarin, dhe deri atëherë do të arrijmë të përfundojmë rikonstruktimin e rreth 6.2 kilometra rrugë nga Katërkolla deri në Sukubinë”, ka thënë ai.

Gjatë vizitës së tij në Ulqin, nënkryetari Llazoviq ka biseduar me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka vëzhguar punimet që po kryhen për ndërtimin e urës në Port Milenë si dhe ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me afaristët e Ulqinit me temë “Sfidat zhvillimore të Komunës së Ulqinit”. Llazoviq ka thënë se në takim me kryetarin e ri të Komunës së Ulqinit kanë trajtuar mjaft çështje dhe janë njohur me problemet e pushtetit lokal në Ulqin. “Obligim i qeverisë përveç zhvillimit të infrastrukturës është krijimi i një mjedisi të favorshëm, i kushteve konkurruese dhe në takim jemi njohur me disa probleme konkrete të cilat do të mundohemi t’i zgjidhim së bashku në periudhën e ardhshme”, ka thënë ai. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka shprehur kënaqësi për takimin duke thënë se në periudhën e ardhshme pushteti lokal do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha ministritë përkatëse dhe se takimi ka shërbyer si një nxitje për planet e ardhshme zhvillimore të komunës së Ulqinit.

Ai ka njoftuar se 15 plane të cilat kanë qëndruar në sirtarët e komunës, siç ka thënë ai, tashmë i janë dërguar ministrisë përkatëse nga e cila pritet përgjigje sa më e shpejtë. “Nëse do të arrijmë të miratojmë planet urbanistike, ky do të jetë momenti i duhur dhe atëherë do të fillojë zhvillimi i vërtetë i Komunës së Ulqinit”, ka thënë Cungu. Në takimin ndërmjet kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe nënkryetarit të qeverisë së Malit të Zi është diskutuar edhe për shumë probleme të tjera që me vite shqetësojnë qytetarët e komunës së Ulqinit.

(Kohapress)
Foto nga Kabineti i Nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi, Vujica Llazoviq

YouTube Preview Image


6