Sinishtaj: Podgorica të gjejë zgjidhje për pensionistët e Kosovës

October 28, 2011   | Rajoni / Region

Podgoricë, 28 tetor – Kryetari i klubit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, ka alarmuar deputetët edhe Qeverinë e këtij vendi se ish-të punësuarit në ndërmarrjet e Kosovës, përkatësisht në filialat e ekspoziturat e tyre në Mal të Zi, janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë sociale dhe ekonomike.

“Edhe pse ata në ndërmarrjet kosovare kanë kaluar karrierën e tyre të punës, nga 20 deri në 40 vjet, nuk mund të realizojnë pensionet e merituara. Në Kosovë për të marrë 40 euro pension duhet të disponojnë dokumentat personale të lëshuara në Republikën e Kosovës, por kjo është e pamundur sepse ata janë shtetas të Malit të Zi”, theksoi Sinishtaj në foltoren e Parlamentit të Malit të Zi, njofton KosovaLive.

Në këtë ndërlidhje, ministri malazias i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Suad Numanoviq, tha se çështja e pensioneve për këta persona do të realizohet me një marrëveshje reciproke që do të bëhet në të ardhmen. Ai shtoi se deri më tash këtë çështje nuk e ka inicuar asnjë institucion.

Ndërkaq, Sinishtaj iu kundërpërgjigj ministrit Numanoviq, duke thënë se kërkesën për të zgjidhur këtë çështje shumë të ndjeshme ia kanë dorëzuar në formë të shkruar deputetët shqiptarë dhe përfaqësuesi i listës së ish- të punësuarve të Kosovës në kohërat e ish- Jugosllavisë, me të cilën lëndë është informuar Ministria mbi të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ministria e jashtme e Malit të Zi, Këshilli Nacional i Shqiptarëve, por nuk është ndërmarrë asnjë hap deri më tash.

”Mbi të 80 për qind të këtyre personave, janë njerëz të cilët i kanë dhënë kontributin më të madh kulturës, shkencës, artit, letërsisë, arsimit dhe shëndetësisë shqiptare në Mal të Zi. Kjo çështje duhet të zgjidhet papritur, qoftë përkohësisht në Mal të Zi derisa të nënshkruhet marrëveshja me Prishtinën”, nënvizon Sinishtaj.

Ndërkohë, Podgorica rreth zgjidhjes së çështjes së pensioneve ka arritur me Kroacinë, Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë. Mendoj se është e paarsyeshme zvarritja e kësaj çështje me Prishtinën. Duke pritur pensionet, shumë veta të kësaj kategorie të shtetasve të Malit të Zi, kanë vdekur. Pra, është edhe çështje humane që këtyre njerëzve t’u sigurohen pensionet për vitet e kaluara të karrierës së punës në ndërmarrjet kosovare që në vitet 60 të shekullit të kaluar.

KOHA NET