Alma Bektashi: Rikthimi im në ‘The Voice’

November 19, 2011   | Lajmet / Vijesti

Alma Bektashi ka folur për karrierën e saj si këngëtare dhe për rolin e trajneres në emisionin ‘The Voice of Albania’.
Këngëtarja kosovare ka theksuar se kohët e fundit nuk ka qenë shumë aktive në botën e muzikës për shkak se ka qenë shumë e ngarkuar me “plotësimin e vetes”.

“Kam studiuar dhe nuk mund të them që kam qenë pushim. Kam qenë më e ngarkuar madje. Unë jam munduar të perfeksionoj veten. Gjithashtu jam marrë me një libër timin “Zëri dhe Aktori” ku shpjegohet vokali dhe transformimi i tij. Kam bërë edhe një master për dramaturgji. Kam dashur të plotësohem”, tha Bektashi e ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’.

Duke folur për fillimet në botën e muzikës, këngëtarja e famshme theksoi se ishte babai ai që e shtyu drejt saj: “Babai ka qenë i apasionuar pas artit dhe na ka orientuar drejt instrumenteve muzikore mua, motrën dhe vëllain tim. Nuk e kam menduar se do të bëhem këngëtare, studioja për piano. Të them të vërtetën shkova në shkollën e muzikës se nuk kishte matematikë.”

Përsa i përket planeve për të ardhmen Bektashi tha: “Dua të bëj një libër tjetër për muzikën moderne dhe ja kam vënë vetes detyrë. Gjithashtu, jam pedagoge në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Janë edhe konkurrentët drejt finaleve në The Voice.”

“Nuk kam asnjë peng në karrierë sepse kam arritur gjërat që kam dashur. E mira nuk ka fund, por kënaqem me arritjet e mia. Albumi do investim kolosal. Pastaj është Youtube që të pengon shitjet e albumit. Kam menduar ndonjë këngë, por jo album. Jam e ngarkuar për momentin”, shtoi Bektashi kur u pyet nëse kishte në planet e saj një album të ri muzikor.

Duke folur për rolin e saj si trajnere në ‘The Voice of Albania’, Bektashi renditi kriteret në bazë të të cilave përzgjedh konkurrentët: “Përpos cilësisë vokale, këngëtari duhet të jetë i plotësuar: interpretues i mirë, njohës i mirë i muzikës. Ka rëndësi edhe emocioni që përcjell interpretimi. Nuk ka rëndësi mosha. Ka shumë shembuj që e tregojnë këtë. Susan Boyle nuk njihej, këndonte vetëm në kishë dhe tani e njohin të gjithë.”

Top Channel

YouTube Preview Image