Bratica, e braktisur në vitin 1582

November 21, 2011   | Opinione

Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (9)

Fshati Braticë ishte timar i Ahmedit të posa islamizuar. Ky fshat më herët ishte vendbanim, ndërsa në vitin 1582 ishte i braktisur dhe të gjithë banorët e tij ishin në arratisje e sipër për t’iu shmangur regjistrimit. Tokën e këtij vendbanimi e punonin banorët të cilët banonin brenda dhe jashtë Kalasë së Ulqinit.

Prof. dr. Iljaz Rexha 

Fshati Kamsha (Kamza) i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Hasan Dervishit. Në vitin 1582 kishte 34 shtëpi, 5 beqarë dhe 3 çifligje, me këta kryefamiljarë: Pervane Abdullahu (çift), Sinan Abdullahu (çift), Bero Andrea, Valino Nika, Maro Pelerini, Maro Mili, Valo Gjura, Petri Gjoni, Kola Gjoni, Andre Kola, Mark Kola, Andre Kola (tjetër) (beqar), Tisha Tanushi, Vuka Mili, Prend Gika, Mark Prendi (beqar), Gjon Petri (beqar), Krist Krysa, Gika Kristi, Nika Iveza, Niko Mileza, Markza Nika, Nika Buleza, Danko Buleza, Niko Kaleza, Niko Iveza, Mark Ishleza, Dabza Nikza, Iveza Petri, Vuka Iveza, Markza Nika (tjetër), Mariza Bogo, Beranza Marko, Pervane Niko (çift), Rasko Dalko, Petri Dalko, Bard Nika, Bero Nika, Gjonko Nika, Duko Maro, Brajo Markiza. Fshati Gjerana i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Ahmedit (mysliman i ri). Në vitin 1582 ishte i braktisur. Gjatë regjistrimit banorët e tij ishin në arratisje e sipër, ndërsa tokat e këtij fshati i punonin banorët që ishin brenda dhe jashtë Kalasë së Ulqinit.

Tatimet nga të ardhurat si dhe të dhjetat ia jepnin poseduesit të tokës, në lartësi prej 1500 akçe në vit, dhe për këtë arsye ishte i regjistruar në defterin e ri. Fshati Pukja i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 ishte jashtë regjistrimit, ndërsa në vitin 1582 kishte 12 shtëpi me bashtina dhe 2 beqarë, të cilët erdhën nga vendbanimet e tjera para 10 vitesh dhe u vendosën më vonë në këtë fshat, duke i dhënë tatimet dhe të dhjetat spahiut të tyre. Kryefamiljarët ishin: Mazo Pelerini, Gjuro Pelerini, Duka Pelerini, Marko Shtekali, Niko Marko, bashtina Nova Liko Gjura, Gjurza Braja, Maro Braja (beqar), Berro Braja (beqar), Vulza Braja, bashtina Progon Duka, bashtina Niko Marko, bashtina Brajan Duka. Fshati Sojmir i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Muharremit. Në vitin 1582 kishte 2 shtëpi, 2 çifligje dhe l të vejë, me këta kryefamiljarë: Pal Kabza, Qejvan Vulza (çift), Hasan Vula (çift), Tushka (e vejë). Fshati Lisina i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Mahmut Mehmetit me ortakë nga mbrojtësit e Kalasë së Shkodrës. Në vitin 1582 kishte 18 shtëpi me bashtina, 3 beqarë dhe 5 çifligje, me këta kryefamiljarë: Iskender Pali (çift), Kasem Liki (çift), Dervish Iskenderi (beqar), Mehmet Pashtroviki (çift), Rrush Liki, Vuka Liki, Ulkash Gjini, Ulkash Markoçi, Ivlad Marku, Gesa Koka, Vaka Bisha, Gesa Bisha, Genc Rushi, Meriq Vaka (beqar), Andre Vuka (beqar), Prenç Laka, Andon Laka (beqar), bashtina Vasil Pali në zotërim të Iskender Palit, bashtina Lazar Uxheva (?) në zotërim të Deda Bojçiqit, bashtina Doda Vasili në zotërim të Kasem Likit, bashtina Kola Bisha në zotërim të banorëve të fshatit, bashtina Jaka Marka në zotërim të Mara Biba-s, bashtina e Aliut në zotërim të Huseinit, Andre Pervuka, Hasan Doda (çift), Sylejman Andrea (çift).

Fshati Dragina i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Dedë Kolas me ortakë. Në vitin 1582 kishte 7 shtëpi, 3 çifligje dhe 1 benak, me këta kryefamiljarë: Hysejn Draga (çift), Sefer Draga (benak), Pervez Draga (çift), Memi Dragina (çift), Andre Bardoni (Bardhoni), Petra Dragina, Gjon Dragina, Andrekoka Dragina, bashtina Andre Bardonja (Bardhonja) në zotërim të Hysejn Bardonja, Mark Kraja, bashtina Nika Brajnika në zotërim të Noka Tanushit, tani në zotërim të të lartpërmendurit. Fshati Yükarí Kravar (Kravari i Epërm – I.R.) i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte has i Sanxhakbeut. Në vitin 1582 kishte 22 shtëpi me bashtina, 8 çifligje dhe 1 beqar. Antroponomia e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishte kryesisht e sferës së krishterë tradicionale shqiptare dhe 5 kryefamiljarë mbanin emra të sferës islame-orientale. Fshati Aşagi Kravar (Kravari i Poshtëm – I.R.) i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte has i Sanxhak Beut. Në vitin 1582 kishte 24 shtëpi me bashtina, 5 çifligje dhe 1 beqar. Antroponomia e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishte kryesisht e sferës së krishterë tradicionale shqiptare dhe prej tyre 3 kryefamiljarë me emra të sferës islame – orientale. Fshati Gjurovik në vitin 1582 ishte timar i Mehmedit me ortakë, i regjistruar si vendbanim i braktisur, banorët e të cilit ishin një kohë të gjatë në arratisje e sipër, andaj tokat e tij punoheshin nga banorët e nahijes së Merkodit, të cilët ia jepnin të dhjetat poseduesit të timarit. Fshati Ublik (Oblikë) në vitin 1582 kishte 93 shtëpi, 19 beqarë dhe 12 çiflige. Antroponomia e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishte kryesisht e sferës së krishterë tradicionale shqiptare dhe prej tyre 16 kryefamiljarë me emra të sferës islame – orientale. Në këtë vendbanim ekzistonte edhe mikrotoponimi me emrin bashtina Shën Andrea, gjë që nënkupton se në këtë vendbanim më herët ekzistonte një monument i kultit të krishterë. Fshati Goricë i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 ishte i regjistruar si fshat dhe kishte vetëm dy shtëpi, me këta kryefamiljarë: Dom Gjon Prokshi dhe Petri – i biri i Prelatit, ndërsa në vitin 1582 ishte i regjistruar si trollishte e braktisur, e cila punohej nga fshatrat përreth. Fshati Braticë i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe ishte timar i Ahmedit të posa islamizuar. Ky fshat më herët ishte vendbanim, ndërsa në vitin 1582 ishte i braktisur dhe të gjithë banorët e tij ishin në aratisje e sipër për t’iu shmangur regjistrimit. Tokën e këtij vendbanimi e punonin banorët të cilët banonin brenda dhe jashtë Kalasë së Ulqinit. Punuesit e tokës, taksat e të ardhurave dhe të dhjetave ia jepnin poseduesit të timarit.

Koha Javore