1000 euro për Flamur! – Nga Simon Shkreli

January 5, 2012   | Opinione

Nga Simon Shkreli Facebook
Qeveria e Malit të Zi, vendos edhe çmimin e pelhures së ngjyrosur me të kuqe, me shkaben dy krenare në mes. 1000 euro është çmimi që çdo shqiptar në Mal të Zi duhet të paguajë, nëse paraqitet në publik me flamurin kombëtar shqiptar, pa pasur paraprakisht një leje. Ky është propozimi I Komisionit për Rendin dhe Qetësinë Publike në Parlamentin e Malit të Zi. Në vendimin e komisionit I cili pritet të kalojë për miratim në parlament, citohet se “për paraqitjen në publik me simbolet e një tjetër shteti pa leje paraprake nga organet kompetente, që në këtë rast është policia, çdo individ apo subject duhet të paguajë nga 1000 euro gjobë”.

Gjoba prej 1000 euro, është një diskriminim racist I politikës zyrtare të Malit të Zi, të cilët e kanë më se të qartë vendosmërinë e shqiptarëve në këtë vend për të ruajtur dhe ngritur lart flamurin e tyre kombëtar. Por gjoba është fyerje ndaj tyre, pasi me këtë gjobë kjo politikë diskriminuese, kërkon që përmes masave të tilla të poshtërojë shqiptarët në këtë vend, duke I zhvlerësuar totalisht nga vlerat e tyre kombëtare, nga mbrojtja e identitetit dhe karakterit kombëtar në këtë vend.

Këto masa vinë në momentet më të rëndësishme për popullin Shqiptar në të gjithë globin, në vitin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, dhe krijimin e Shtetit të Ri Shqiptar. Sot Shqiptarët në Ballkan janë faktor I rëndësishëm politik dhe ekonomik, kjo është më se e qartë për të gjithë. Në Mal të Zi, faktori politik shqiptar është më I përçarë se asnjëherë, synimet e ngushta karrieriste, mungesa e një vizioni kombëtar, dhe zhvillimit të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike po zhduken përmes luftës për karrierë politike të disa individëve që rastësisht duke shfrytëzuar lojën e “bërrylit” janë në poste kyçe e në jo pak raste, kanë vepruar kundër interesit të shqiptarëve.

Disa ditë më parë në Tuz disa qindra shqiptarë të kësaj treve, protestuan duke kërkuar mos aprovimin e project-ligjit për rendin dhe qetësinë publike, si dhe kërkuan komunen e plotë të Tuzit. Rëndimi I situatës ekonomike dhe politike, synimet asimiluese shekullore ndaj trevave Shqiptare në Mal të Zi, po zbatohen më së miri tani. Vetë fakti se para disa ditësh në Mal të Zi u formua edhe partia e re politike shqiptare, tregon se sa seriozë janë në mbrojtje të interesave tona kombëtare.

Interesi kombëtar mbrohet duke sakrifikuar, të paktën këto kanë qenë parimet e rilindasve tanë. Unë nuk dua të mbaj leksione mbi sakrificen e rilindasve, por situata për Shqiptarët në Mal të Zi është e njëjtë me periudhen e rilindjes kombëtare, kur “Shqipnia pa u ba’ po shpërbahej”.

Unë nuk shoh ndonjë politikan shqiptar aktiv sot në Mal të Zi, të sakrifikojë për çështjen kombëtare, të cilën e përdorin si një fasadë dhe retorikë boshe, për grumbullim votash. Apo fyerjet dhe ofendimet ndaj kundërshtarit dhe qeverisë, e më pas përfundojnë në një koalicion me “djallin” e urryer në fushatë. Këtë fakt politika zyrtare malazeze e ka kuptuar dhe tashmë së fundmi vë në sprovë shqiptarët, sedrën e tyre, karakterin e nëpërkëmbur nga udhëheqësit, të cilët kanë harruar se sa vlen flamuri, sa vlen gjaku I derdhur për të, vuajtjet që janë shkaktuar për ta ruajtur, duke mbrojtur me fanatizëm gjuhën dhe traditën. Politikanët shqiptarë atje kanë harruar se sa vlen flamuri, pasi çmimin e cakton shteti I Malit të Zi. Në moralin politik të çdo politikani të përgjegjshëm dorëheqja nga posti I deputetit do ishte minimalja që do duhej të bënte.

Një shuplakë fytyrës mund të cilësohet për gjithë spektrin politik shqiptar, çmimi prej 1000 euro që vendoset për flamurin tonë kombëtar.

Disa qindra të rinj në Tuz, të mbarsur me idealin kombëtar protestuan në mbrojtje të flamurit në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, të mbështetur nga disa deputetë, që për hir të së vërtetës, kanë një karrierë të shkurtër politike dhe tagri I tyre është shumë I vogël, pasi dëmi është shkaktuar tashmë, themelet janë dëmtuar dhe ka mbetur vetëm çatia, e cila shfrytëzohet nga zyrtarët malazez më së miri në arenën ndërkombëtare.

Qeveria e Malit të Zi, ka ditur dhe vazhdon të jetë e vëmendshme në ndjekjen e “trendeve” multikulturore, dhe kapjen në kohë të tyre, duke arritur suksese në këtë pikë. Si një nga aleatët më të fortë të Perëndimit kundër regjimit të Millosheviqit, sot po vjel frytet e saj. I cilësuar si shteti më I korruptuar në Ballkan, arrin që përmes fasadës “multi”-fetare-nacionale-kulturore, të jetë një faktor I rëndësishem, duke shtypur të drejtat e Shqiptarëve, duke anashkaluar marrëveshjet e firmosura që më 1997 me politikanët shqiptarë, duke privatizuar të gjitha pasuritë e popullit shqiptar, e duke shpopulluar vendbanimet e shqiptarëve.

Nga ana tjetër as Prishtina e as Tirana ku kjo e fundit që mban edhe rolin e Atdheut apo Mëmëdheut të Shqiptarëve, është më e interesuar për pushimet në Budva dhe në Kollashin, apo edhe për projektet e rëndësishme që kanë të bëjnë për Liqenin e Shkodres që po ndotet çdo ditë e më shumë, se sa për mirëqenien e rreth 40 mijë shqiptarëve autoktonë, të cilët edhe në 100 vjetorin e pavarësisë ashtu si edhe në shumë përvjetorë të tjerë do jenë vetëm, të gatshëm për të paguar gjobën.

Gjoba e turpit e Malit të Zi, e një shteti që nuk respekton as të drejtën minimale të individit që flet një gjuhë ndryshe nga ai, edhe pse ky shtet I gjobës, ka uzurpuar tokat e tij.

Shqiptarët në Mal të Zi duke qenë gjithmonë mes dy zjarreve, atë të së“keqes” dhe atë të së “keqes më të vogël”, kanë zgjedhur këtë të dytën si alternativën më të mirë.

Kjo e dyta duket se paska qënë e keqja më e madhe.

11